E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembjet rrezikojnë 25 banesa në Librazhd, ekspertët verifikojnë terrenin



LIBRAZHD – Të paktën 25 familje rrezikojnë të mbeten pa strehë si pasojë e shembjes së tokës në zonën e Qafë Dardhës, në komunën e Polisit të rrethit të Librazhdit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se pas zhvendosjes së disa familjeve nga ky fshat, shefi i Shtabit të Emergjencave pranë Prefekturës së Qarkut të Elbasanit, Mustafa Arapi, tha se janë marrë masa për të parandaluar ndonjë fatkeqësi. "Gjendja vazhdon të jetë shqetësuese”, - shprehet Arapi, i cili pohoi se janë larguar banorët nga zona dhe tashmë po pritet mbërritja e ekspertëve të Institutit të Gjeologjisë të cilët, pasi të studiojnë gjendjen, do të përcaktojnë masat që duhet të merren për banorët e fshatit.
Situata
Shefi i Shtabit të Emergjencës pohoi se rrëshqitja vazhdon me shpejtësi drejt ndërtesave, të cilat gjatë ditës së hënë nuk kanë pasur banorë brenda. Sipas të dhënave të para, fundosja vjen si fenomen natyror, për shkak të ujërave nëntokësore, të cilat provokojnë rrëshqitjet e dherave. Lugina e Qafë Dardhës ndodhet rreth 25 kilometra larg rrethit të Librazhdit. Fshati përbëhet nga 70 banesa me rreth 360 banorë, ku pjesa më e madhe janë larguar drejt qytetit dhe në emigrim. Në këtë luginë, toka vijon të fundoset në formë brezash rreth tre deri në pesë metra thellësi, çka shkaktoi panik te banorët, banesat e të cilëve janë shumë pranë zonës që fundoset. Mbrëmjen e dy ditëve më parë 25 familjet e rrezikuara në këto banesa, me ndihmën e përfaqësuesve të Shtabit të Emergjencës së Nënprefekturës së Librazhdit dhe policisë, u evakuuan nga zona pa asnjë rrezik për jetët e tyre. Për shkak të fundosjes së tokës në këtë luginë, policia ka bllokuar akset rrugore Polis-Gushë Shpat dhe Polis-Vilan, pasi fshatrat ndodhen shumë pranë me luginën.
Fenomeni
Disa zona të vendit tonë kanë probleme me zhvendosjet masive të tokës. Rrethi më problematik është ai i Kukësit. Sipas studimeve gjeologjike, nga ky fenomen rrezikohen 20 fshatra në nivel qarku. Përveç banorëve, të prekur janë edhe investimet publike. Shumë akse rrugore gjatë stinës së dimrit pësojnë dëmtime si pasojë e zhvendosjes së terrenit. Në shumë raste këto janë bërë shkas edhe për bllokimin e rrugëve. Studimi i bërë së fundi nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Gjeologjik në Qarkun e Kukësit përcakton më së miri zonat e rrezikuara dhe zonat që nuk paraqesin problemet.

Përfundon studimi që lidh Parkun Energjetik me linjë hekurudhore

DURRËS – Zona e Parkut Energjetik në Porto Romano në Durrës do të bashkohet me rrjetin kombëtar hekurudhor. Kështu është parashikuar në një studim që ka përfunduar ditët e fundit, i cili parashikon ndërtimin e linjës së hekurt, me gjatësi 11 kilometra dhe me vlerë rreth 2.5 milionë euro. Këto të dhëna janë pohuar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave të Shqipërisë, me qendër në Durrës. Sipas tyre, sapo ka përfunduar projekti studimor për këtë projekt, i realizuar me financimin prej 6 milionë lekësh nga buxheti qeverisë shqiptare. Studimi ka paraqitur dy variante të shtrirjes së linjës hekurudhore, që do të nisë nga stacioni i Sukthit deri në zonën e Porto Romanos, ku do të ndërtohen një Park Energjetik dhe një tjetër industrial, rreth 7 km larg qytetit bregdetar. Sipas studimit të kryer nga studio “SPIT" shpk, linja e ardhshme hekurudhore do të jetë krejtësisht fushore, ku përveç dy stacioneve të reja hekurudhore, parashikohet dhe ndërtimi i disa urave, mbikalimeve dhe nënkalimeve. Lidhja me Portin Detar të Durrësit është një nga synimet e rëndësishme të projektit. Shpejtësia e trenave mbi këtë linjë do të arrijë deri në 100 km në orë, ndërsa sasia ditore e mallrave nga 800 deri në 1800 tonë. Studimi ka marrë parasysh shmangien e qendrave urbane dhe problemet e procesit të shpronësimeve. Linjat hekurudhore në të dyja variantet, parashikojnë kalimin në fshatrat e komunave të Sukthit, Katundit të Ri dhe Rrashbullit. Parku energjetik me sipërfaqe 810 hektarë është miratuar dy muaj më parë nga KRRT-ja e Qarkut të Durrësit dhe në të parashikohet ngritja e dy TEC-eve, terminali i naftës dhe gazit, pontili për përpunimin e anijeve cisternë etj.

Tregtarët ambulantë protestojnë para Bashkisë

LUSHNJË - Më shumë se 100 tregtarë në ambientet e jashtme të tregut industrial në Lushnjë kanë protestuar paraditen e së hënës përballë godinës së Bashkisë së qytetit. Shkak ka qenë largimi i tyre nga vendi ku ata kanë tregtuar për vite me radhë. Në këtë pjesë të qytetit Këshilli Bashkiak ka miratuar kërkesën e pronarëve të truallit për të ndërtuar një qendër shumë funksionale industriale. Por tregtarët shprehen se janë larguar padrejtësisht pa u lajmëruar dhe pa u gjetur një vend tjetër tregtimi.
Nga ana e tij, kryebashkiaku i Lushnjës, Albert Samxhaku, tha se gjithçka është bërë konform ligjeve urbanistike është miratuar ndërtimi i një qendre industriale me vendim të Këshillit Bashkiak dhe se tregtarët do të vendosen në një tjetër treg, pronë e Bashkisë së Lushnjës.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›