E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi “Iliria”, së shpejti përzgjidhet një prej 5 projekteve të studiove të huaja



DURRËS - Brenda pak ditësh Bashkia e Durrësit pritet të shpallë firmën fituese të projektit për sheshin “Iliria”. Tashmë ka përfunduar procesi i diskutimeve me grupet e interesit dhe komisioni i vlerësimit do të shpallë rezultatin. Garën e nisën 36 studio, me një shtrirje gjeografike nga katër kontinentet dhe konkretisht nga shtete të tilla si Anglia, Japonia, SHBA-të, Portugalia, Meksika, Italia etj., derisa u përzgjodhën vetëm 5 projektet më të mira. Komisioni pritet të përzgjedhë njërin prej këtyre projekt-ideve për zhvillimin e sheshit “Iliria: Projekti i studios italiane të arkitekturës “Ottopignatti Studio Associato”, e cila ka paraqitur idenë e sheshit me moton “Con Shesh Temporary”; projekti i studios së arkitekturës nga Portugalia, i quajtur “Da Arquitectos”; projekti i studios së arkitekturës Michele Cro” nga Roma, me moton “Folding” studio; projekti i studios italiane të arkitekturës “Mascino e Agnoletto”, me moton “Suoli Sensibili” dhe projekti i fundit i studios së arkitekturës “3 W Architecture Limited” nga Britania e Madhe, i cili ka moton “Sun Dial”. Deri tani 5 propozimet e përzgjedhura janë diskutuar me ekspertët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Institutit Arkeologjik dhe përfaqësues të institucioneve të tjera që operojnë në fushën e arkeologjisë. Në debat morën pjesë edhe grupe të interesuara nga universiteti “Aleksandër Moisiu”, organizatat joqeveritare dhe organizmat ndërkombëtare. Po ashtu, projektet u shtruan për diskutim edhe tek autoritetet vendore dhe sipërmarrja private. Deri në fund të muajit sheshi “Iliria” do të ketë planin e tij të zhvillimit perspektiv.

PESË PROJEKTET E PARAQITURA

Projekti i studios italiane të arkitekturës “Ottopignatti Studio Associato”, me moton “Con Shesh Temporary”

Projekti me moton “Linea D’ Ombra”, nga studioja e arkitekturës nga Portugalia, e quajtur "Da Arquitectos”

Projekti me moton “Folding Studio", e studios së arkitekturës “Michele Cro” nga Roma. Kjo studio, e drejtuar nga Michele Cro dhe bashkëpunëtore me studion “Idea Verde”, ka punuar projekte sheshesh publike dhe godina të ndryshme në Romë, Venecia e Barcelonë

Projekti me moton “Suoli Sensibili”, i studios italiane të arkitekturës “Mascino e Agnoletto”

Projekti me moton “Sun Dial”, i studios së arkitekturës "3 W Architecture Limited” nga Britania e Madhe

KRRT-ja e Durrësit miraton lejen për firmën e çimentos

DURRËS - Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) në Këshillin e Qarkut të Durrësit miratoi dje lejen për ndërtimin e një impianti për bluarjen e klinkerit, që shërben si lëndë e parë për prodhimin e çimentos. "KRRT-ja e qarkut ka miratuar kërkesën e kompanisë “Shqipëria Cement Company” për ngritjen e impiantit në fshatin Xhafzotaj, 12 km në lindje të qytetit të Durrësit", - thanë burime nga Këshilli i qarkut, të cilat shtuan se "territori në dispozicion të ndërtimit arrin në 47 780 metra katrorë". Sipas lejes së miratuar, godina që do të shërbejë si impiant bluarje do të ketë një sipërfaqe prej 1 709 metrash katrorë dhe lartësi maksimale deri në 34 metra. Ndonëse komuna e Xhafëzotajt është zonë banimi, një pjesë e saj është industrializuar tashmë, duke ndërruar gjithë destinacionin e saj.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›