Një studente, Bush, Medvedv dhe Obama
Nga Edval Zoto*
Çfarë do të ndodhë më datë 20 janar? Heshtja që pasoi pyetjen do të ishte fatale për një studente për “Master” në Marrëdhënie Ndërkombëtare në universitetin e një prej qyteteve më të njohura europiane. Studentja ishte në provën e fundit para titullimit. Profesori i mirënjohur, besoj, se vazhdon të turfullojë edhe sot për mungesën e informimit të kësaj eksperteje të ardhshme për ngjarjen më të madhe politike në shkallë botërore. Studentja nuk e kaloi dot provën...
Presidenti i sapozgjedhur demokrat, Barak Husein Obama, hyn sot në Shtëpinë e Bardhë dhe gjithsekush po pret lëvizjet e tij të para në krye të superfuqisë botërore. Entuziazmi që ka pushtuar botën dhe informacioni e thashethemet që qarkullojnë organet e informacionit në publikun ndërkombëtar po tërheq vëmendjen nga liderët e tjerë që kanë kryer betimin presidencial shumë më parë se senatori i Ilinoisit. Në ditët e para të vitit të ri dy nga liderët e vjetër mbajtën fjalime. Presidenti që po ikën, G. W. Bush, mbajti fjalimin para kombit, ku parashtroi punën e kryer dhe, gjithashtu, mendimin e tij politik mbi 8 vjet detyrë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkohë, nga ana tjetër, presidenti rus, D. Medvedev, në Pallatin e Kremlinit madhështor mirëpriti kredencialet e ambasadorëve të Osetisë së Jugut, Abkhazisë, Sudanit, Iranit, Britanisë së Madhe, Suedisë, Qipros, Kamerunit, Kubës, Bangladeshit, Estonisë, Malit, Pakistanit dhe Algjerisë, i përshëndeti ata dhe gjithashtu mbajti një fjalim, që mund të cilësohet krejt i kundërt në disa aspekte thelbësore me atë të presidentit amerikan.
Fjalimi i presidentit që do të lërë detyrën, G. W. Bush, si çdo fjalim i fundit në krye të detyrës, u përcoll nga mediat kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe u hapi punë gazetarëve analistë për të komentuar frazat dhe mendimin e presidentit në ikje. Në përgjithësi fjalimi përfshinte komente mbi të gjitha çështjet e rëndësishme që kanë angazhuar administratën “Bush” në këto 8 vjet. Presidenti, i rrethuar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe të ftuar specialë, mbajti fjalimin që zgjati rreth 13 minuta, duke filluar nga falënderimet dhe duke kaluar menjëherë në urimet e ngrohta për presidentin e ardhshëm, Obama. Duke u shprehur për ngjitjen e këtij të fundit në postin e Presidentit të SHBA-ve, Bushi rikujtoi “ëndrrën amerikane”, nëpërmjet një fraze gati-gati biblike për publikun shumëmilionësh që po e ndiqte.
Tema e dytë që parashtroi Bushi, sigurisht, ishte kujtimi i 11 shtatorit të vitit 2001. Bushi theksoi mizorinë dhe dhimbjen kombëtare për atë ndodhi dhe kaloi menjëherë në temën e politikës së jashtme amerikane mbi Afganistanin dhe Irakun, duke u shprehur se edhe me ndihmën e aleatëve këto dy vende kishin kaluar nga një fazë e tmerrshme tiranie dhe dhune në një fazë demokracie “të brishtë, por të sigurt, falë miqësisë amerikane”. Në gjithë fjalimin e Bushit, përveç SHBA-ve, u përmenden vetëm 2 emrat vendesh, Afganistani dhe Iraku, dhe gjithashtu vetëm një organizatë ndërkombëtare, “Al Kaeda”. Natyrisht, Bushi menjëherë shtoi se “Amerika nuk ka pasur as një rast tjetër akti terrorist në territorin e vet që nga ajo ditë e tmerrshme shtatori e vitit 2001”, duke falënderuar për këtë të tëra forcat e sigurisë së vendit. “Nuk ka nder më të madh për mua sesa të kem shërbyer si komandanti juaj”. Për aktivitetin e Forcave të Armatosura, në raport me zgjidhjen e situatave ndërkombëtare të krizave, Bushi jep shprehje krahasuese midis dy botëve, asaj ku Amerika është e detyruar të ndërmarrë role fatvendosëse me përdorimin e instrumentit të saj ushtarak dhe asaj që Amerika quan shtëpi të saj, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Bushi shkëputet për pak nga tema e nxehtë e luftës antiterror duke folur për përmirësimet në sistemin arsimor, asistencës mjekësore, sistemit të taksave, pensioneve etj. Çuditërisht, Presidenti i SHBA-ve, Bushi, personi-objekt i kritikave i ambientalistit Al Gore, gjen vendin dhe kohën të flasë me pozitivizëm “për përmirësimin e parametrave të pastërtisë së ajrit, ujërave dhe tokës në shtetin që emeton më shumë CO në atmosferë. Por flet shumë pak për krizën aktuale ekonomike dhe financiare që po kalojnë SHBA-të. Pohon me krenari se “ju mund të mos keni qenë dakord me shumë nga vendimet e mia të guximshme, por ama shpresoj të pranoni që unë kam marrë vendimin që të marr vendime të guximshme”, duke u dhënë shkas analistëve që e karakterizojnë si “kauboj teksan” për komente akoma më të zjarrta. Menjëherë pas kësaj shkëputjeje rimerr temën e rolit ndërhyrës të SHBA-ve, duke paralajmëruar se “armiqtë e Amerikës mund të presin edhe shumë kohë derisa të gjejnë çastin për të sulmuar”. Justifikohet duke thënë se “Amerika nuk e kërkoi dhe nuk bëri asgjë për të merituar konfliktet aktuale. Por, vazhdon ai, “ne nuk mund të tërhiqemi, pasi kemi rolin tonë në lidershipin e respektimit të lirive. Siguria e brendshme dhe prosperiteti i vendit tonë varet nga përhapja e lirisë jashtë kufijve të SHBA-ve. Të mbyllemi në kufijtë tanë nuk është zgjidhje”.
Në mbyllje të fjalimit flet plot shpresë për të ardhmen duke përmendur shembuj konkretë heroizmi qytetar. Tre nga katër shembujt e marrë u përkisnin sakrificave dhe akteve të ndërmarra nga ushtarakë amerikanë në Afganistan e Irak. Bushi tregohet optimist dhe thotë se gjatë eksperiencës së tij si President i SHBA-ve ka pasur ditë të mira dhe të vështira, duke mos përdorur termin e kundërt, “të këqija”.
Si përfundim, ky fjalim zgjati 13 minuta dhe nga rreth 157 rreshta, 83 rreshta transkriptim u kushtoheshin ndërhyrjeve amerikane në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe në 74 rreshta të tjerë përmblidhej çdo temë tjetër e punës së administratës “Bush” në 8 vjet.
Si rregull, i pashkruar por shumë i përdorur, presidenti Bush përmendi fjalët e një presidenti tjetër amerikan, Tomas Xheferson: “Më pëlqejnë më shumë ëndrrat për të ardhmen, sesa historitë e së shkuarës”. Xheferson ishte presidenti i tretë amerikan që qëndroi në krye të shtetit në vitet 1801-1809, një nga baballarët e Deklaratës së Pavarësisë, krijuesi i Partisë Republikane, por dhe presidenti i parë amerikan që dërgoi trupat të luftojnë jashtë territorit kombëtar (Bombardimi i Tripolit në vitin 1805 për të eliminuar problemet që haste marina tregtare amerikane në Mesdhe, por ky ishte rasti i vetëm, pasi ai dallohej si një pacifist i madh). Megjithëse për shumë kohë, gjatë 8 vjetëve të presidencës së tij, do të respektonte Doktrinën Monroe.
Obama
Në fjalimin e fitores në Çikago mbrëmjen e 4 nëntorit të vitit të shkuar, presidenti i zgjedhur B. H. Obama i kushtoi më shumë rëndësi në terma sasiorë çështjes së krizës ekonomike. Për të ngritur peshë emocionalisht popullin amerikan shprehet: “…fuqia e vërtetë e kombit amerikan nuk vjen nga madhështia e armëve apo nga shkalla e mirëqenies, por nga fuqia e idealeve që na karakterizojnë: demokracia, liria, mundësitë e hapura dhe shpresa e pamposhtur”. Edhe Obama përsërit një thënie të një presidenti amerikan, Abraham Linkolnit. “Ne jemi miq, jo armiq”, i kishte thënë Linkolni një vendi më të përçarë se ky i yni sot, tha Obama, duke ua lënë vendin duartrokitjeve të fuqishme. Abraham Linkolni është presidenti i 16-të amerikan që nxori vendin nga kriza e brendshme më e madhe, Lufta Civile, duke e mbajtur atë të bashkuar dhe duke zhdukur skllavërinë. Linkolni zuri vendin e James Buchanan, presidentit të akuzuar për paqartësi-paaftësi në trajtimin e divergjencave midis Jugut dhe Veriut, divergjenca që çuan në shpërthimin e Luftës Civile në SHBA.
Medvedev
Duke kapërcyer drejtpërdrejt rrymat e ngrohta dhe ato të ftohta të Atlantikut, një ditë më vonë fjalimit të presidentit Bush, vëmendja zhvendoset te presidenti Medvedev, i cili mbajti një fjalim në një eveniment rutinë, siç është prezantimi i letrave kredenciale nga ana e ambasadorëve të huaj. Por temat që u prekën nga ky fjalim nuk u kufizuan vetëm nga mirëseardhja dhe urimet për një punë të suksesshme. Presidenti Medvedev deklaroi me këtë rast se “në botën moderne problemet lokale në çdo moment bëhen gjithnjë e më shumë probleme globale, duke krijuar probleme në ligjin dhe rendin ndërkombëtar. Si problemet që shkaktoi sulmi gjeorgjian mbi Osetinë e Jugut”. Gjithashtu Medvedev flet për gazin në Europë dhe krizën në Gaza. Flet për një konferencë që do të mbahet në Moskë mbi Lindjen e Mesme dhe kërkon një bashkëveprim më të madh ndërkombëtar. Presidenti Medvedev, qoftë edhe për llojin e takimit, por edhe për situatën politike ndërkombëtare, përmendi pak a shumë pikat më të nxehta që sigurisht interesojnë ose kërkon që të interesojnë dhe Moskën. Medvedevit do t’i duhet të shkëmbejë bashkëbisedues strategjikë pas 20 janarit. Ndërkohë që Bushi po paketon sendet personale nga Shtëpia e Bardhë, Obama po bën provat për marrjen në dorëzim të pushtetit më të rëndësishëm në botë. Jashtë këtij trekëndëshi, në Rripin e Gazës, vazhdojnë luftimet, ndërsa liderët europianë po përpiqen për të siguruar ngrohjen derisa të dalë dimri...
Studentja që humbi provimin do ta përsërisë në pranverë me shpresën se profesori do t’u rikthehet pyetjeve tradicionale mbi Paqen e Uestfalisë ose Luftën e Ftohtë...
*Student, Torino (Itali)
20 Janar 2009