Mbeten në burg doganieri dhe polici
Gjykata e Kukësit ka vendosur të lërë në burg një doganier dhe një polic të pikës kufitare të Qafë-Prushit, të cilët u arrestuan dy ditë më parë për kontrabandë. Dashamir Sadikaj, 31 vjeç, nga fshati Zogaj i Tropojës, me detyrë doganier në pikën e Kalimit kufitar Qafë Prushi, dhe Besnik Jaku, 36 vjeç, nga fshati Nikoliç i Rrethit të Hasit, me detyrë punonjës policie, u arrestuan rreth orës 11:00 të së dielës, në vendin e punës në Has. Ata akuzohen për "kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore", si dhe për "shpërdorim të detyrës". Në bazë të të dhënave që jep Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës për gazetën "Shqip", dy të arrestuarit janë përpjekur të fshehin faktin e kalimit në doganë të mjetit të ngarkuar me miell dhe mallra të tjerë. Ata kanë shënuar qëllimisht gabim orën kur ka kaluar ky furgon dhe dyshohet se kanë lejuar edhe herë të tjera që i njëjti shtetas, L. Hasa nga Rrethi i Tropojës, të kalonte doganën pa paguar asgjë për mallin. Asllan Hoxha, shef i SHKB-së në Kukës thotë se dogana e Qafë-Prushit mund të përdoret edhe nga trafikantët e drogës dhe të armëve dhe për këtë kanë nisur hetime intensive. "Ajo doganë shpesh në media është cilësuar si doganë e vogël, por askush nuk më bind që aty, pikërisht aty, kalon droga dhe armët apo çdo gjë tjetër", thotë Hoxha, duke shtuar se personi i arrestuar së fundi me mallrat kontrabandë, shihej prej kohësh si i privilegjuar për të kaluar "pa u vënë re" në këtë doganë.