E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbeten në mes të detit, çifti fierak rrezikon të mbytet

Një çift nga Fieri që kishte zgjedhur plazhet e Vlorës, për të kaluar fundjavën e nxehtë, kanë rrezikuar seriozisht të mbyten ndërsa kishin dalë për të shëtitur në det me një motor uji. Pasi kanë pushuar për dy orë në një nga plazhet e zonës së Ujit të Ftohtë, të rinjtë kanë vendosur të marrin një motor uji me qira për të bërë disa xhiro në det dhe shijuar plazhet e bukura të Vlorës. Pasi kishin bërë rreth 15 minuta përgjatë bregdetit të Ujit të Ftohtë, të rinjtë nga Fieri kanë vendosur të shohin nga afër brigjet e gadishullit të Karaburunit. Bukuritë e gadishullit e kanë shtyrë çiftin që të eksplorojë dhe pjesën jugore të tij. Teksa mrekulloheshin nga pamja fantastike, kanë harruar të shohin gjendjen e karburantit dhe pas një ore motori i ujit është fikur duke i lënë të rinjtë në mes të detit. Të dy janë munduar që të shtyjnë mjetin drejt brigjeve të shkëmbinjtë, por pa rezultat. Ka qenë e pamundur të mbërrinin në breg, pasi largësia ka qenë e madhe dhe deti ka nisur të dallgëzohej. Në këto kushte të rinjtë janë detyruar të braktisin motorin dhe të kridhen në ujë. Kanë nisur të notojnë nëpër detin e trazuar për të arritur brigjet e gadishullit. U është dashur të notojnë për rreth dy orë, kur të rraskapitur kanë mbërritur në breg të detit dhe pikërisht në zonën e gjirit të Dafinës, ku disa vite më parë përdorej nga klandestinët për të kaluar ilegalisht me gomone drejt brigjeve të Italisë. Plazhi ka qenë plotësisht i braktisur, por fati i ka prirë të rinjtë. Pa kaluar shumë kohë një gomone me turistë ka kaluar para tyre. Gjithë shpresë ata i kanë bërë shenjë të huajve që të afrohen dhe u kanë kërkuar t‘i imbarkojnë dhe t‘i kthejnë në Vlorë. Ndërkohë policia ishte sinjalizuar për largimin prej disa orëve të çiftit dhe uniformat blu kanë kërkuar në të gjithë zonën e bregut, por pa asnjë rezultat. Të lodhur dhe të rraskapitur çifti fierak ka mbërritur në orët e mbrëmjes në Vlorë dhe menjëherë është marrë në pyetje nga policia për largimin me motorin e ujit. Mësohet se gjatë orëve të vona të së dielës është gjetur dhe mjeti i ujit i braktisur në mes të detit. Motorët e detit vazhdojnë të mbeten problem për policinë kufitare. Vetëm disa ditë më parë, gjatë një aksioni të organizuar nga policia për kontrollin e dokumentacioneve të motorëve të ujit, u sekuestruar pesë të tillë, pasi nuk dispononin leje për ushtrimin e aktivitetit. Ndërkohë, në të gjithë bregdetin e Vlorës, Dhërmiut dhe Himarës, këto mjete argëtimi po shndërrohen në rrezik serioz për pushuesit, pasi nuk respektohet largësia nga bregu i detit. Disa ditë më parë, me gjithë masat e marra nga policia kufitare për moslejimin e tyre në afërsi të bregut, një pushues është plagosur rëndë në kokë. I riu ishte zhytur nën ujë, kur teksa dilte nga thellësia e detit është goditur nga një motor uji që voziste pranë bregut të detit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›