Shkojnë për ekskursion, mbyten në det dy adoleshentë
Shkojnë për ekskursion në Vlorë, mbyten në det. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje pasdite në zonën e Ujit të Ftohtë. Mësohet se viktimat janë Elvis Cene, 19 vjeç, dhe Kristi Andoni, 17 vjeç, të dy nga qyteti i Korçës. Adoleshentët ishin pjesë e një grupi prej 57 nxënësish gjimnazesh të qytetit të Korçës, të cilët në formë shpërblimi kishin përfituar nga një fondacion bamirësie një ekskursion në qytetin e Vlorës. Ishte ora 16:30 e ditës së djeshme, kur dy adoleshentët kanë vendosur të futeshin në det për t‘u freskuar. Deti ka nisur të trazohet dhe dallgët kanë mbuluar dy adoleshentët, të cilët janë përpjekur të dalin në sipërfaqe po çdo tentativë e tyre ka qenë e kotë. Mungesa e aftësisë për të notuar ka bërë që ata të mos arrijnë të kthehen në breg. Plazhistët e rastit, pasi kanë parë trupat e dy të rinjve që qëndronin mbi sipërfaqen e ujit, pa shenja jete, kanë shkuar me not drejt tyre. Pasi i kanë nxjerrë në breg, është konstatuar se 17-vjeçari Kristi Andoni kishte vdekur, ndërsa Elvisi, shfaqte ende shenja jete. Ai është dërguar me urgjencë për në spitalin e qytetit të Vlorës, por fatkeqësisht ai nuk ka mundur të mbijetojë. 19-vjeçari ka ndërruar jetë pa mundur të arrijë në urgjencën e spitalit. Trupat e dy adoleshentëve janë transportuar për në morgun e spitalit, në pritje të tërhiqen nga familjarët.