E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në burg Haka, grabitësi i "Uestern Union"

07/04/2005  TIRANË – Sazan Haka, njëri prej vëllezërve të Flamur Hakës, i shpallur në kërkim, ka mbetur në burg pa afat pas vendimit të dhënë nga Gjakata e Apelit. Për Apelin nuk ka asnjë provë të re që mund të ndryshojë vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë ndaj Sazan Hakës, akuzuar se në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij dhe një person të tretë, grabitën një pikë të "Uestern Unionit". Për të pandehurit e tjerë, masa e arrestit dhënë nga Shkalla e Parë do të shqyrtohet sot në Apel. Sazan Haka në bashkëpunim grabiti Reshit Bejën. Bashkë me ta ka qenë edhe Kreshnik Dauti. Në Shkallën e Parë asnjë prej të pandehurve nuk e ka pranuar akuzën e vjedhjes me dhunë dhe goditjes së pronarit të 8 milionë lekëve. Por nga ana e akuzës, të përfaqësuar nga prokurori Ben Dollapi, u tha se për të gjithë të pandehurit ekzistojnë prova të pakundërshtueshme. Në Apel, avokati Vladimir Meçi kërkoi lirimin e Sazan Hakës, duke pretenduar se nuk ka gisht në grabitje, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh. Prokurori u shpreh se kundër të pandehurve ekziston një provë e fortë, që është gjurma e gishtave. Në kërkim nga policia është vënë i pandehuri Flamur Haka, i liruar nga burgu vetëm pak muaj më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›