E Diel, 1 Nëntor 2026

U kap me 16.8 kg drogë, kërkon të lirohet

07/04/2005  TIRANË – Lefter Kozdene u paraqit dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të kërkuar revokimin e masës së arrestit. U arrestua më 21 shtator 2004, në portin e Vlorës, në pritje për të kaluar kufirin me 16.8 kg heroinë. Bashkë me të u vu në pranga edhe shoferi i makinës ku u gjet malli, Patriot Zyberi. Ky i fundit është lënë në gjendje të lirë. Zyberi është shprehur se makina është pronë e shoqërisë "Kozdene", e drejtuar nga i pandehuri Lefter Kozdene. Por dje para gjykatës, nëpërmjet avokatit të tij Genc Gjokutaj, i pandehuri ka pretenduar se nuk ka lidhje me sasinë e drogës së kapur dhe se në Itali do të shkonte për punë të shoqërisë. Prokuroria u shpreh se në pakot e drogës së gjetur në makinën me targa VL 0855 A, janë gjetur gjurmët e gishtave që i korrespondojnë të pandehurit. Kërkesa e bërë prej Kozdenes, u mor në shqyrtim nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila do të shprehet sot me vendim. Pasi dëgjoi prokurorin që kërkoi lënien në fuqi të vendimit dhe avokatin që kërkoi revokimin e masës së arrestit, nga ajo me burg në një masë më të butë, gjykata u tërhoq për vendim që kërkon 24 orë kohë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›