E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në burg prifti i Karavastasë

Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi të lërë në qeli deri në përfundim të hetimeve priftin e fshatit Karavasta të Lushnjës, Mihal Shuli dhe gjashtë të bashkëpandehurit me të, të arrestuar në operacionin “Korridori i lirë”. 

Fatos Mahmutaj

 Togat e zeza të Shkallës së Dytë nuk i ndryshuan asnjë presje vendimit të Gjykatës së Tiranës për këta të akuzuar, me argumentet se mbrojtja dhe vetë të pandehurit nuk arritën të mbështeteshin në prova, kërkesën e tyre për zbutje të masës së sigurisë “burg pa afat”, të vendosur për ta një muaj më parë. Togat e zeza të Apelit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë, lanë në fuqi vendimin “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për Ilir Çipin dhe Sefer Çollakun, ndërsa për Ismet Rroqin “arrest shtëpie”. Kurse për shtatë të arrestuarit e tjerë Leonard Belortaja, Artur Likollari, Altin Qatipi, Edmond Tollkuçi, Manol Xhamia, Mihal Shuli dhe Rajmondi Duro gjykata vendosi mbylljen e tyre në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Organizata
Mbi ta rëndojnë akuzat “korrupsion”, “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi”, “falsifikim të pasaportave, vizave e formularëve”, “falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve”, “prodhim i mjeteve për falsifikim dokumentesh”, të gjitha të kryera në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin funksiononin si një grup i organizuar, që kishte qëllim trafikimin e paligjshëm të klandestinëve, fillimisht për në Greqi dhe më pas në Itali. Burime nga procesi pohojnë se të akuzuarit dhe avokatët e tyre pretenduan se, Prokuroria veç faktit që të pandehurit kanë folur në telefona me njëri-tjetrin nuk ka sjellë asnjë provë tjetër në gjykim. Kurse disa prej të pandehurve, përfshi edhe priftin Mihal Shuli, pohuan se kishte ndodhur që ndonjë prej emigrantëve u kishte kërkuar ndihmë për të emigruar në Greqi apo Itali dhe këta thjesht e kishin orientuar të shkonte në konsullatat greke dhe të pajisej me vizë të rregullt emigrimi, duke pretenduar si lehtësi faktin që, këta persona i përkisnin fesë ortodokse.
Mbrojtja
Pas kësaj, avokatët thanë se akuza ndaj klientëve të tyre duhej të lehtësohej në “moskallëzim krimi” apo “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri”, çka duhet të shoqërohej me zbutje të masës së sigurisë. Por ndryshe nga kjo përfaqësuesi i Prokurorisë pohoi se Task-Force, që kishte drejtuar hetimet ka bërë të mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale, që këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me punonjës të doganës së Kapshticës, realizonin kalimin në mënyrë të paligjshme të klandestinëve nga Shqipëria në Greqi, ku përfitimet nga ky aktivitet shkonin deri në 2000 euro për person. Ndërkohë, gjatë kryerjes së këtij aktiviteti personat e arrestuar falsifikonin dokumente të ndryshëm si pasaporta, viza, certifikata, leje qëndrimi e çdo lloj dokumenti tjetër që u nevojitej.

Prifti i akuzuar për trafik klandestinësh
Mihal Shuli, prifti i fshatit Karavasta, akuzohet nga Prokuroria të jetë pjesëmarrës në dy grupeve kriminale, që kishin si qëllim trafikimin e paligjshëm të klandestinëve drejt Greqisë dhe Italisë. Njëri prej këtyre grupeve po hetohet nga Krimet e Rënda, ndërsa tjetri nga prokurorët e Task-Forcës. Shuli pohoi në gjykatë se ishte i pafajshëm dhe, se thjesht, nëse dikush e kishte kërkuar mendim, ky e kishte orientuar në Konsullatë që të emigronte ligjërisht.  

Të arrestuarit

“Korridori i lirë”
Leonard Belortaja
Artur Likollari
Altin Qatipi
Edmond Tollkuçi
Manol Xhamia
Ilir Çipi
Mihal Shuli
Ismet Rroqi
Sefer Çollaku
Rajmondi Duro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›