E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmimi i naftës është monopol në kurriz të qytetarëve”

“Tregu i karburanteve diskriminon qytetarët, duke kthyer në monopole e oligopole çmimet”. 

Këtë shqetësim ngre Shoqata Kombëtare e Konsumatorit Shqiptar, pas ankesave të shumta të depozituara në adresë të saj. “Ulja e çmimeve duhet të ishte e detyruar kohë më parë nga tregu botëror, pasi ka javë e muaj që këto çmime kanë pësuar ulje në botë. Ndërsa tregu ynë mban një qëndrim të egër, duke ruajtur çmime të larta, duke diskriminuar konsumatorin tonë me qëndrimin që mbajnë duke i quajtur injorantë dhe të paaftë që ai të ngrejë zërin për këto të drejta”, deklaroi dje kreu i Shoqatës, Islam Cani. Sipas tij, edhe ulja e çmimit ditët e fundit është e papërfillshme. “Duhet të kishte nisur kohë më parë dhe çmimi duhet të kishte një rënie që të ishte në të njëjtat nivele me ato të tregut botëror”, tha Cani. Sipas tij, Shoqata Kombëtare e Konsumatorit Shqiptar, duke u mbështetur në ankesat e shumta mbarëqytetare që përdorin petrole, ka rezultuar se firmat disponuese të karburanteve janë treguar kokëfortë dhe nuk kanë marrë asnjë masë për të normalizuar çmimin. Ndërkaq kjo shoqatë i ka bërë apel strukturave përkatëse që të rrisin kontrollet për të siguruar karburante me cilësi. “Kjo, pasi kemi pasur një sërë ankesash se në pika të ndryshme karburantesh abuzohet në këtë pikë”, tha Cani. Sipas tij, abuzime të tilla nuk duhet të lejohen. “SHKSH iu drejtohet firmave disponuese që tregtojnë karburante, organeve shtetërore përgjegjëse për kontrollin në cilësi, sasi dhe produkte të sigurta. Bëjmë me dije se ne që nga sot pajtohemi me të gjithë konsumatorët, agjenci, shoqata që ngrenë zërin për çmime të arsyeshme, që në qoftë se brenda tri ditësh nuk do të bëhen ndryshime të çmimit, ne do t’i drejtohemi mbarë vendit, do të kërkojmë edhe përkrahje të vendeve të tjera për të na mbështetur në këto të drejta që na takojnë”, bën me dije Shoqata e Konsumatorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›