Mbetet në burg vrasësi i Bollanos
Gjykata e Vlorës ka vendosur dje të lërë në burg deri në përfundim të hetimeve 24-vjeçarin Bledi Xhaferri, lindur dhe banues në fshatin Fiershegan të Lushnjës, i cili akuzohet për vrasjen e shtetasit Pirro Bollano në qendër të qytetit të Himarës. Xhaferri u arrestua një javë më parë, më 6 maj, pasi vrau me mjete të forta dhe më pas dëmtoi kufomën e 73-vjeçarit Pirro Bollano, në sheshin kryesor të Himarës. Dje, pasi janë pyetur të gjitha palët, akuza ka kërkuar vendosjen e masës së sigurisë "burg pa afat" për Xhaferrin, i cili e ka pranuar krimin, por nuk ka dhënë ende asnjë motiv të qartë për të. Kërkesa e akuzës është marrë parasysh nga trupi gjykues, ndërkohë që është bërë e qartë se 24-vjeçari i arrestuar do t‘i nënshtrohet ekspertizës së mjekëve specialistë për të përcaktuar gjendjen e tij mendore. Prokurori i kësaj çështjeje ka kërkuar paraprakisht që ai të vizitohet nga mjekët e spitalit psikiatrik të Vlorës.