E Diel, 1 Nëntor 2026

Naftëtarët, në protestë kundër reformës që nxjerr në rrugë 1760 veta

Paraditja e djeshme i ka gjetur në protesta të gjithë punonjësit e sektorit të naftës në kompanitë "Albpetrol" dhe ARMO. Punonjësit e të gjitha ndërmarrjeve që varen prej këtyre dy kompanive kanë braktisur punën për dy orë gjatë paradites. Protestat nisën një javë më parë në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, ku u afishuan së pari listat me personat që do të lënë punën për shkak të reformës. Më pas afishimi i listave u bë në të gjitha ndërmarrjet e naftës, çka ka bërë që organizatat sindikale të koordinohen mes tyre për të organizuar dje një grevë dyorëshe në të gjitha ndërmarrjet. Kërkesa e vetme që është bërë e ditur nga protestuesit ka qenë ajo e rishikimit të reformës dhe ulja e numrit të punonjësve që do të preken prej saj. "Duam që zbatimi i reformës të mos ketë prapavijë politike. Sektori i naftës ka qenë më i prekuri nga reformat me ngjyra politike. Kohë pas kohe, kërcënime dhe abuzime të tilla me naftëtarët kanë ardhur nga politikëbërësit dhe qeveritarët tanë", tha Pali Kurani, një aktivist i lëvizjes sindikaliste në naftë. "Kërkojmë zvogëlimin e numrit të punonjësve që do të dalin në reformë. Bëhet fjalë për 1760 naftëtarë, shumica e të cilëve kanë mbi 30 vjet punë. Le të çojnë në reformë militantët që kanë futur në punë dy vitet e fundit", thotë një protestues. Sipas naftëtarëve, protesta do të vijojë gjatë gjithë javës dhe do të përshkallëzohet deri në pezullimin e plotë të punës. "Jemi gati të futemi edhe në grevë urie. Jemi të vjetër në këtë punë e nuk mund të na hedhin tani në mes të katër rrugëve", thotë Elmaz Verria. Një përfaqësi punëtorësh nga të gjithë sektorët e naftës kanë shkuar dje në zyrat e "Albpetrol" në Patos. Mësohet se ata nuk janë pritur nga asnjë drejtues i kësaj kompanie dhe janë detyruar të lënë një listë kërkesash pranë sekretarisë së drejtorit. Në mbështetje të naftëtarëve që rrezikojnë të humbasin vendin e punës kanë dalë edhe degët e partive politike në Patos e Fier, ku regjistrohet numri më i lartë i punonjësve të prekur nga reforma. Selitë e partive opozitare nga këto dy qytete kanë hapur zyra ku presin të gjithë naftëtarët e shkurtuar. Sipas të dhënave zyrtare të këtyre përfaqësive politike, në Fier mësohet se lista me punonjësit e shkurtuar pa të drejtë do të shkojë në gjykatë, ku do të paditet kompania përkatëse. Ndërkohë, dje, drejtuesit e kompanisë shtetërore "Albpetrol" sh.a. kanë deklaruar se: "Reforma është duke u zbatuar konform disa kritereve të vendosura nga Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë, si dhe nga Ministria e Energjetikës". Pritet që të mërkurën të dalë një listë me 600 punonjës të tjerë që do të nxirren në asistencë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›