E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria do të kthejë lekët për vdekjen e djalit të Moisiut

Prokuroria e Përgjithshme do të duhet t‘i rikthejë Byrosë së Sigurimeve një shumë prej 7.5 milionë lekësh, të cilat janë marrë në rastin e vdekjes aksidentale të Admir Moisiut, djalit të ish-presidentit Alfred Moisiu dhe plagosjes së kolegut të tij Rrahman Jati. Vendimi është marrë dje nga gjyqtari Admir Thanza në përfundim të procesit që Byroja e Sigurimeve ka hapur ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Gjykata, pasi ka dëgjuar të dyja palët, si dhe ka marrë në administrim provat materiale vendosi: "Pranimin e kërkesëpadisë së palës paditëse Byroja Shqiptare e Sigurimit të bazuar në prova dhe në ligj. Detyrimin e palës së paditur (Prokuroria e Përgjithshme), t‘i kthejë palës paditëse shumën prej 7.505.215 lekë, e cila është paguar nga kjo e fundit për vdekjen e të ndjerit Admir Moisiu dhe dëmtimet e shëndetit të shtetasit Rrahman Jata".

Procesi për këtë çështje kishte nisur në shtator të vitit të kaluar, kur Byroja e Sigurimeve kishte ngritur padi ndaj prokurorisë. Sipas kërkesës së bërë gjatë procesit, familja Moisiu ishte shpërblyer me 90 milionë lekë të vjetra për humbjen e të birit në aksidentin tragjik të 10 marsit 2004, ndërsa punonjësi tjetër i prokurorisë, Rrahman Jata, është dëmshpërblyer me 4 milionë lekë të vjetra për shkak të dëmtimeve që mori në aksident, për të cilat u mjekua në spital. Por avokatët e Byrosë së Sigurimeve deklaruan gjatë procesit se pas verifikimeve të bëra, kishte rezultuar se makina tip "Mitsubishi Pajero", me targë 387 E 659, në pronësi të Prokurorisë së Përgjithshme, në momentin e aksidentit kishte qenë e pasiguruar. Vetë Byroja në çastin që kishte paguar paratë e sigurimeve kishte pasur bindjen se automjeti ishte i siguruar. Në këtë mënyrë janë dhënë paratë në bazë të ligjit "Për sigurimin e detyrueshëm të mbajtësve të mjeteve motorike, për përgjegjësinë ndaj personave të tretë", sipas të cilit, përfitojnë familjet e të gjithë personave që ndodhen pasagjerë në mjetet e aksidenteve. Por pas verifikimeve rezultoi e kundërta dhe tashmë prokuroria duhet të rikthejë paratë e marra. Admir Moisiu, ish-drejtor i Kontrollit në Prokurorinë e Përgjithshme, humbi jetën më 10 mars të vitit 2004, së bashku me shoferin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artan Shijaku, ndërsa arriti të shpëtojë financieri Rrahman Jata. Tre punonjësit e prokurorisë po udhëtonin drejt Gjirokastrës për çështje pune, ndërsa kanë pësuar aksidentin tragjik, duke dalë nga rruga dhe duke rënë në lumin Drino.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›