Punonjësit e Hekurudhës hidhen në grevë
Grevistët bllokojnë lëvizjen mbi linjat e hekurta dhe paralajmërojnë përshkallëzim të grevës së tyre. Treni i parë nga Durrësi është nisur me vonesë drejt destinacionit për shkak të grevës, por ndërhyrja e policisë ka kthyer në normalitet transportin. Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare me seli në Durrës e ka vlerësuar si të paligjshme grevën dhe ka kërkuar ndërhyrjen e policisë për të larguar nga shinat sindikalistët grevistë. Ashtu siç e kishin paralajmëruar, punonjësit e Hekurudhave Shqiptare nisën dje grevën e parë, duke sjellë shqetësim veçanërisht te studentët durrsakë që prisnin lëvizjen e trenit të linjës Durrës-Tiranë për të mbërritur në auditorë dhe për të nisur ritmin e një jave të re. Që në mëngjes herët, sindikalistët kanë bllokuar qarkullimin e trenit të parë që lëviz nga Durrësi. Ata janë ulur mbi shina dhe vetëm ndërhyrja e policisë, por edhe shqetësimi i studentëve, që për shkak të çmimeve më të lira të këtij transporti zgjedhin çdo ditë trenin në lëvizjen e tyre drejt kryeqytetit dhe anasjelltas, i ka bërë të tërhiqen pa plotësuar kohën e plotë të grevës. Me uljen mbi binarët e trenit, sindikalistët i kanë përcjellë Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Transporteve Olldashi mesazhin e qartë se nuk do të tërhiqen nga kërkesat dhe të drejtat e tyre për t‘u vlerësuar financiarisht dhe punuar në kushte më të mira. Nëse kërkesat nuk do të zbatohen, sindikalistët kanë deklaruar se do të nisin grevë pa afat, duke shkaktuar një paralizim të plotë të transportit hekurudhor. Greva pa afat do t‘i sillte Hekurudhës dhe shtetit shqiptar një dëm të madh ekonomik, duke krijuar probleme të mëdha dhe në zbatimin e kontratave me subjektet private. Kreu i Sindikatës së Punonjësve të HSH-së, Osman Meta, edhe dje, ka vijuar me akuzat për korrupsion në hekurudhë. Për këtë qëllim është kërkuar nga sindikata inventarizimi i pasurive të Hekurudhës për të ndalur abuzimet e mëtejshme. Ndonëse në muajin prill sindikata iu drejtua krerëve më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare, si dhe dikasterit të transporteve me një peticion për të shqyrtuar realisht dhe plotësuar kërkesat e tyre, nuk është marrë asnjë reagim.