Minierat me nikel, banorët përplasen me policinë
Banorët e fshatit Kolsh nuk kanë lejuar punonjësit e firmës të punojnë në minierë për nxjerrjen e nikelit
KUKËS Një përplasje mes forcave speciale dhe banorëve të një fshati në Kukës është shënuar pasditen e djeshme. Në fakt, banorët e një lagjeje në komunën Kolsh kanë tentuar të bllokojnë punimet e një firme koncesionare, e cila sipas tyre nxjerr nikel në pronat e tyre. Ditën e djeshme banorët janë mbledhur dhe kanë bllokuar makinat e punonjësve që të mos futen në fshat. Në fakt ata ngrenë pretendimin se kanë gjithë dokumentacionin e duhur që janë pronarë të tokës ku nxirret nikel dhe se sipas tyre firma ka dëmtuar kullotat dhe tokën e tyre. Edhe pse nuk ka pasur një konfrontim fizik mes palëve, tensioni mes tyre ka qenë prezent. Ditën e djeshme është kërkuar nga Drejtoria e Policisë së Kukësit ardhja e forcave speciale, në mënyrë që këto të fundit të bënin dhe një zhbllokim të situatës. Forcat e policisë janë tërhequr pa shoqëruar asnjërin prej banorëve dhe kanë zbritur në qytet. Ndërkohë dhe policia konfirmon faktin se nuk ka të ndaluar dhe thotë se nuk ka pasur ushtrim dhune nga dy palët, por thjesht një operacion që është ndërprerë pikërisht për të shmangur dhunën me banorët. Ditë më parë policia e Kukësit pati ndaluar disa banorë të zonës që pengonin punimet në këtë fshat, por ata u liruan pas pak orësh. Ky nuk është konflikti i parë për mineralet në zonën e Kukësit, pasi edhe në zona të tjera mineralmbajtëse banorët janë konfrontuar me pronarët e firmave. Këta të fundit pohojnë se shteti nuk po u krijon kushtet e duhura për ushtrimin e licencave, pasi sipas tyre ata i paguajnë shtetit detyrimet, por nuk marrin mineralin pasi banorët i pengojnë. Situata e rënduar në fakt nuk është zhbllokuar as ditën e djeshme, për shkak të banorëve që vazhdojnë të pretendojnë se janë pronarë të zonave ku bëhet nxjerrja e nikelit.