E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat që rriten nga Bashkia Elbasan për vitin 2012

Ja si do të ndryshojnë tarifat për pastrimin dhe ndriçimin, si dhe lekët që duhet të paguajnë prindërit për në kopshte e shkolla

ELBASAN Këshilli bashkiak në Elbasan ka miratuar projektin e Bashkisë për rritjen e taksave për vitin 2012. Propozimi është justifikuar me diferencën e madhe që ka kostoja e disa shërbimeve bazë me tarifat e vendosura për çdo subjekt. Specialistët e Bashkisë propozuan ndryshime në tarifën e pastrimit për biznesin e madh, e cila nga 22.000 lekë në vit bëhet 30.000 lekë në vit; tarifën e ndriçimit për biznesin e madh, e cila nga 15.000 bëhet 50.000. Po kështu, tarifa për familjet për pastrimin nga 700 bëhet 1 mijë lekë në vit; tarifa e gjelbërimit, e cila nga 200 lekë bëhet 300 lekë në vit; tarifa e ndriçimi nga 200 lekë në vit bëhet 500 lekë në vit. Tarifa e ushqimit në çerdhe, nga 135 lekë në ditë bëhet 160 lekë në vit dhe tarifa e ushqimit në kopsht, nga 135 lekë në ditë bëhet 160 lekë në ditë. Bashkia deklaron se tarifat aktuale janë ato të vitit 2007 dhe ndryshimi i tyre ishte i domosdoshëm përballë kostove në rritje të Bashkisë për këto shërbime. Po kështu janë vendosur tarifa të reja për antenat e kompanive celulare deri në 45 mijë lekë në vit, në varësi të madhësisë dhe gjatësisë së tubacioneve; tarifa e shfrytëzimit të truallit publik për tubacione dhe për kabuj telefonikë apo linjë interneti. Këshilli bashkiak ka miratuar me shumicë votash ndryshimet e kërkuara nga Bashkia. Sipas Bashkisë, këto tarifa të reja që aplikohen për kompanitë në rrjetin e komunikacionit, energjisë dhe ujësjellësit do të shtojnë të ardhurat për mirëmbajtjen e rrugëve dhe do të ketë një impakt pozitiv në përdorimin sa më racional të hapësirave publike nëntokësore. Siç konstatohet, taksat rriten veçanërisht për bizneset e nuk rëndojnë shumë mbi familjarët. F.Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›