E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetjet urbane në Fier, interes të lartë, por asgjë në 5 vite

Për menaxhimin e mbetjeve urbane të Fierit kanë shprehur interes 58 kompani të huaja. Madje këto kompani kanë zhvilluar edhe më shumë se 4 takime secila me përfaqësues të Qarkut të Fierit. Kompania e fundit ka ardhur të enjten pranë këshillit të qarkut dhe ashtu si 57 kompanitë e para, ka treguar interes për të ardhmen e mbetjeve urbane të Fierit. "Të lodhur" nga shpjegimi i strategjisë për menaxhimin e mbetjeve urbane, pjesëmarrësit fierakë në këtë takim të zhvilluar në zyrën e kreut të këshillit të qarkut, mesditën e djeshme, kanë treguar "odisenë" e 57 takimeve të mëparshme me të njëjtën tematikë dhe qëllim. Prej afro pesë vjetësh, si në qark, bashki e prefekturë, kanë mbërritur 57 firma të huaja, të cilat kanë kërkuar projekte apo edhe i kanë pasur ato me vete për përpunimin e mbetjeve urbane. Përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Komisioni Europian, duke dëgjuar zyrtarët e pushtetit lokal, pohuan se mbetjet urbane janë të shumta dhe se ato do të përpunohen, duke i groposur e më pas djegur, për të mundësuar energji elektrike.

Në takimin e zhvilluar dje, ku merrnin pjesë specialistët më të lartë të qeverisë dhe BE-së, nuk i janë përgjigjur ftesës disa bashki të Qarkut Fier. Kreu i qarkut u bëri me dije ekspertëve të Ministrisë së Mjedisit dhe KE-së, se lista e të interesuarve për të investuar në mbetjet urbane ka qenë tepër e gjatë.

"Jemi një qark i madh, prej 550 mijë banorësh dhe nevoja për të ndërhyrë është tepër e madhe", nënvizoi Muça.

Mësohet se gjatë këtij viti do të përgatitet një dokumentacion nga ana e zyrtarëve të Qarkut të Fierit, ndërsa në vitin 2010 duhet të përgatitet projekti për zbatimin e ndërtimit.

Nisur nga praktika e deritanishme, me 57 firma private të interesuara, përfaqësuesit e Bashkisë së Fierit nuk do ta kenë problem përgatitjen e këtyre projekteve, pasi këtë procedurë e kanë bërë me dhjetëra herë brenda pesë viteve. Bashkia dhe qarku pranon se janë të lodhur duke pritur e përcjellë firma dhe organizata. Ata duan vepra dhe fakte konkrete, pasi për projekte dhe takime kanë pesë vjet që merren.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›