Mbi 100 të burgosur nga Anglia në Shqipëri
Më shumë se 100 të burgosur shqiptarë që vuajnë dënimet në Mbretërinë e Bashkuar, do të transferohen në Shqipëri për të përfunduar dënimin e tyre. Deportimi i të burgosurve do të bëhet në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar dy ditë më parë në Londër mes ministri britanik të Burgjeve, Crispin Blunt dhe zëvendësministres së Drejtësisë shqiptare, Brikena Kasmi, për transferimin me detyrim të të burgosurve nga Britania në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Ambasadës Britanike në Tiranë. Aktualisht janë rreth 180 të burgosur shqiptarë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar, prej të cilëve mbi 100 mund të jenë të ligjshëm për transferim nën këtë marrëveshje, pohuan burimet. Marrëveshja për transferimin e të burgosurve, CPTA, do të duhet të ratifikohet nga Parlamenti shqiptar gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar dhe pastaj dërgohet në Parlamentin britanik. Ndërkohë, sipas burimeve, autoritetet angleze të sistemit të burgjeve janë duke identifikuar të burgosurit shqiptarë që plotësojnë kriteret për tu transferuar në vendin tonë. ar.ba