Mbi 60 për qind e femrave dhunohen
06/04/2005 GJIROKASTER- Pjesa më e madhe e femrave të Qarkut të Gjirokastrës janë dhunuar të paktën një herë në familjet e tyre. Një sondazh i kryer në mënyrë të njëkohshme në tre rrethe të këtij Qarku, ka evidentuar se të paktën 60 për qind e vajzave dhe grave bëhen objekt më shumë se njëherë i dhunës në familje. Sondazhi është kryer në një pjesë të madhe të shkollave të mesme si dhe në universitetin rajonal të Gjirokastrës, si dhe në qendra pune dhe ambiente të tjera publike. Nga sondazhet e kryera, rezulton se në Gjirokastër, të paktën 65 për qind e femrave të anketuara, e kanë provuar dhunën psikologjike dhe fizike mëse një herë. Kurse në Përmet dhe Tepelenë, rezulton se dhuna psikologjike dhe ajo fizike është ushtruar në më shumë se gjysmën e vajzave dhe grave të anketuara, që të gjitha të moshës nga 18 deri 45 vjeçe.