E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të hiqen urgjent mbeturinat nga bregu i liqenit”

06/04/2005  SHKODËR – Plehrat e hedhura në bregun e liqenit të Shkodrës kanë detyruar kreun e pushtetit lokal, Artan Haxhi, që të bëj një mbledhje urgjente. Dje pasdite, kryetari i Bashkisë Shkodër, ka zhvilluar një takim emergjent pune me përfaqësuesit e Drejtorisë së Shëndetit Parësor, të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, të Policisë Tatimore, zyrës rajonale të mjedisit dhe përfaqësues nga sektori i antikrimit ekonomik të Drejtorisë së Policisë Shkodër. Ky takim u bë mëse i domosdoshëm, pasi në disa media u bë publike hedhja e disa kolive të çokollatave dhe biskotave të skaduara në brigjet e liqenit të Shkodrës.

Mbledhja me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse trajtoi si emergjencë, problemin e ndotjes së ambientit përreth brigjeve të liqenit të Shkodrës dhe veçanërisht marrjen e masave për ndalimin e këtij fenomeni jo vetëm në atë vende ku ishte zbuluar, por edhe në qendrat e hedhjes së mbeturinave, në mënyrë të tillë që të mos ketë më përsëritje të rasteve të tilla. Pjesëmarrësit e këtij takimi falenderuan mediat për ndihmesën që kanë dhënë në zbulimin e këtij fenomeni, megjithëse nuk ishin dakord me idenë se ishte Bashkia, ajo që i kishte hedhur ato artikuj buzë liqenit. Por duke qenë se fenomeni kishte ndodhur realisht duhet të pranohej se kontrolli i ushtruar nëpër dyqanet ushqimore nuk ka qenë ashtu siç duhej. Prandaj të gjithë përfaqësuesit ranë dakord që të gjithë së bashku të koordinonin veprimet dhe pasi të analizonin gjithësecili punën dhe përgjegjësitë e tyre, të vepronin në një grup të përbashkët për të kontrolluar dhe parandaluar fenomenin. Veprimet e para i kishte filluar Bashkia duke marrë masat për largimin e artikujve të skaduar dy vjet më parë, me anë të punonjësve dhe mjeteve të saj dhe më pas do të punohet në bazë të një programi të përbashkët të institucioneve, për të ndërhyrë dhe kontrolluar tashmë imtësisht datat e skadencës në të gjitha pikat e shitjes së artikujve ushqimorë, ku parësore do të jenë të gjitha pikat e tregtimit me shumicë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në muajin mars të vitit të kaluar, ku pranë një shkolle u hodhën artikuj të ngjashëm dhe u përdorën nga fëmijët, duke sjellë helmatisjen e 14 prej tyre, ndër të cilët 4 kaluan në gjendje të rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›