Mbivendosja e pronave, Bashkia e Sarandës akuzon AKKP-në
Zyra e drejtorit të Urbanistikës Panajot Gunari në Bashkinë e Sarandës, është më e kërkuara nga qytetarët këto ditë. Pritja e tij, që ka dalë nga rregullsia e ditës apo orës së caktuar, në shumicën dërmuese të rasteve, ka në objekt dëgjimin dhe sqarimin e qytetarëve që duan të dinë se cili është “fati” i trojeve të tyre, të vendosura poshtë Lëkurësit, pas hipotekimit të një sipërfaqeje të konsiderueshme nga ish-pronari Avni Delvina. Para portës së Gunarit gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe ditë më parë ka pasur njerëz që me vendimet bashkiake të vitit 1999 dhe genplanet në duar, prisnin të mësonin nëse janë në “zonën e rrezikut” apo jashtë saj. Ka prej atyre që janë larguar me “gjak të shkrirë”, pas verifikimeve të bëra, por shumë e shumë të tjerë kanë marrë lajmin e keq të përfshirjes në rreth 60 hektarët që janë bërë zotërime të ish-pronarit me origjinë nga Delvina.
I pyetur për “Shqip”, drejtori Gunari tha se “kjo që ka ndodhur është një problem i madh social”. Ai theksoi se Bashkia e Sarandës, edhe pse nuk është ajo aktualja që ka nxjerrë vendime për trojet e qytetarëve, në mënyrë institucionale dhe profesionale është duke punuar për të sqaruar me dokumentacion dhe me harta planimetrike se deri ku shtrihet mbivendosja e shkaktuar nga hipotekimi i pronës nga ish-pronari, sa është numri i qytetarëve që cenohen nga kjo dhe cilat janë mundësitë e zgjidhjes së hallit të tyre. “Për mua, u shpreh drejtori Gunari, është një veprim i papërgjegjshëm edhe i AKKP-së në Vlorë”. Por, sipas tij, më e rëndësishme se vlerësimi i asaj që “iku, u bë” dhe me vlera të drejtpërdrejta komunitare është organizimi i punës për zbardhjen e asaj që ka ndodhur në përmasat e sakta të saj. Për këtë ai tregon se një specialist nga Drejtoria e Urbanistikës është ngarkuar për të bërë çdo ditë verifikimin e trojeve të qytetarëve rast pas rasti me vendosjen e tyre në studimin urbanistik që disponon Bashkia e Sarandës, miratuar në KRRTRSH.
Gunari shprehet qartazi se në përballimin e kësaj situate përplasjesh dhe mbivendosjesh masive, bashkia nuk ka sens të jetë asnjanëse e të qëndrojë në skaj. “Sigurisht, tha drejtori Panajot Gunari, që ne do të jemi në krah të qytetarëve tanë dhe në kërkim të një zgjidhjeje institucionale”.