E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: PS duhet të qëndrojë në Kuvend

Ambasadori i OSBE-së, apel politikës për të gjetur kompromisin

Në mungesë të një marrëveshjeje të mirëfilltë, klasa politike shqiptare duhet të arrijë patjetër një kompromis që do të hapte rrugën për funksionim normal të jetës institucionale. Paralel me debatin pa krye dhe me terma kategorikë të ndërthurur pas argumenteve juridikë që po mbahet gjallë nga palët në konflikt, faktori ndërkombëtar ripërsëriti thirrjen për lëshime reciproke, në mënyrë që negocimi t’u afrohet mundësive të vërteta të realizimit. Kreu i misionit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, shfrytëzoi dje një vizitë në qytetin e Kukësit për të përcjellë në takime me gazetarë dhe përfaqësues politikë vendorë, mesazhet e fundit përpara mbylljes së afatit të vënë para ardhjes në Shqipëri të komisionerit për zgjerim dhe fqinjësi të mirë. “Sot politikës i duhet një kompromis dhe kompromis do të thotë që të dyja palët të lëshojnë pe; kompromis nuk do të thotë saktësisht që të marrësh atë që ti do, por do të thotë që t’i lëshosh, që ta arrish tjetrin në gjysmë të rrugës dhe shpresoj shumë që kjo të bëhet, pra kompromisi”, deklaroi Bosch, duke ofruar, përveç qëndrimit politik, edhe një lloj leksioni të fundit mbi mënyrën e negocimit mes palëve. Ashtu sikurse edhe zyrtarët e tjerë të faktorit ndërkombëtar, edhe ambasadori i OSBE-së ka shmangur interpretimet rreth debateve teknike, çka ripërcakton edhe njëherë se arritja e kompromisit kësaj radhe është një test i mirëfilltë për klasën politike shqiptare. Ky neutralitet i plotë i partnerëve të Shqipërisë, po e zbraz përgjegjësinë e kësaj krize vetëm mbi partitë politike, të cilave tashmë u kërkohet maturimi i qëndrimeve dhe kalimi me sukses i një prove vendimmarrjeje autonome që shfaqet në aktualitetin shqiptar pas gati 20 vjetësh asistence konstante dhe të gjithanshme. Por ambasadori i OSBE-së nuk ka munguar që t’i drejtohet me një mesazh shumë domethënës opinionit shqiptar, brenda së cilës mund të dallohet ndërkohë një kritikë ndaj dy partive kryesore si protagoniste të një polarizimi politik, që tanimë duket të jetë artificial për shoqërinë shqiptare. “Nëse do të ketë kompromis të vërtetë, real, do të ketë vetëm fitimtarë dhe fitues do të jetë vendi juaj, do të jeni ju shqiptarët”, është shprehur Bosch.

Cilido që të jetë përfundimi i debatit politik aktual, duket se ai ka vendosur një standard të panegociueshëm veprimi të paktën për opozitën. Bojkoti i Parlamentit nuk përbën më një opsion që mund të mirëkuptohet, por edhe të pranohet si instrument presioni ndaj qeverisë. “Nuk ka rrugë tjetër përveç kompromisit. Unë dëshiroj dhe besoj se çfarëdo që të ndodhë, PS-ja do të mbetet në Parlament, ku të shprehë shqetësimet e saj, pasi nëse ke diçka për të thënë aty është vendi ideal ku mund të dëgjohesh”, deklaroi ambasadori Bosch. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, ai ka sugjeruar se ecuria e mëtejshme e situatës nuk duhet të kushtëzojë paralizimin apo gjymtimin e jetës institucionale në vend. E thënë thjesht, bojkoti, si rrugë veprimi nuk mund të riciklohet më, pavarësisht nëse marrëveshja politike arrihet ose jo dhe ky duket të jetë shqetësimi i vërtetë i faktorit ndërkombëtar. Sa u përket pasojave të mundshme që kjo situatë e tejzgjatur mund të prodhojë ndaj vendit dhe ambicieve të saj integruese, Bosch ka ruajtur tone të moderuara. Duke iu referuar shqetësimeve që kanë të bëjnë me raportin që krijon kriza me procesin e liberalizimit të vizave, zyrtari i OSBE-së ka nënvizuar se kjo optikë me sens negativ thjesht sa dëmton atmosferën ekzistuese në vend. “Me këtë pyetje negative krijoni atmosferë negative... Ne shpresojmë se do të arrihet kompromisi, nuk ka pse të fillojmë nga negativja”, tha kryesuesi i OSBE-së në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›