Kontrabanda, ndjekje penale për dy doganierë të tjerë
Operacioni “Rinas I” ka përfunduar mëngjesin e djeshëm, duke vënë në pranga dy tregtarë dhe shoferin e tyre. Bashkë me ta janë arrestuar dy doganierë, ndërsa dy të tjerë janë dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë. Në sajë të posedimit të informacioneve mbi veprimtarinë e tyre, si dhe një hetimi afro 3-mujor, u bë e mundur kapja e kontrabandistëve në autostradën Tiranë–Durrës, në afërsi të kilometrit të gjashtë. Policia tha se u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për shtetasin Shkëlzen Hasani, 37 vjeç, me detyrë shofer. Pas tij, uniformat blu arrestuan tregtarët Renato Sinoimeri, 37 vjeç dhe Astrit Sela, 57 vjeç. Gjatë hetimit ka rezultuar se ata kanë bashkëpunuar me doganierët Basri Toçilla, 37 vjeç dhe Gjin Dedndreaj, 61 vjeç. Po dje policia filloi procedimin penal në gjendje të lirë edhe për Peme Paçon, 45 vjeçe, me detyrë doganiere dhe Sokol Gashin, 51 vjeç, përgjegjës turni në degën e Doganës Rinas. Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar të kalojë në pikën Doganore të Rinasit një sasi malli, i cili pasi u kontrollua, rezultoi se nuk kishte dokumente shoqërimi. Pas kësaj, tregtarët e transportuan mallin e tyre me automjetet tip “Mercedes Benz” me targë TR0883K dhe “Ford Fiesta” me targë TR8693M. Nga kontrolli i ushtruar u sekuestruan 680 kostume femrash dhe 60 funde, si dhe dy mjetet e lartpërmendura. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Kontrabandë me mallra të tjera”, si dhe “Tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë”.
#