E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbivendosjet, Kushtetuesja shtyn gjykimin

30/09/2009  Gjykata Kushtetuese vendos hapjen e procesit për ankesën e Avokatit të Popullit më 20 tetor

Shkak u bë një fatkeqësi familjare që i ndodhi njërit prej anëtarëve të trupit gjykues

Gjykata Kushtetuese e ka shtyrë për më 20 tetor gjykimin e kërkesën ankimore të Avokatit të Popullit për shfuqizimin e paragrafit të dytë dhe të tretë të nenit 10 të ligjit nr. 7843 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar. I parashikuar për t’i zhvilluar dje, ky gjykim u shty për shkak të një fatkeqësie familjare që i ndodhi pak çaste para nisjes së seancës njërit prej anëtarëve të trupit gjykues. Për këtë arsye trupi gjykues ka njoftuar shtyrjen e gjykimit të kësaj çështjeje në një datë të mëvonshme, duke e shtyrë çështjen 3 javë më pas. Në seancën e datës 20 tetor palët në proces do të paraqesin pretendimet e tyre. Avokati i Popullit, sipas kërkesës së depozituar pranë këtij institucioni, do të prezantojë ankesën tij bazuar në ankesën e shoqërisë “Dudaj Konstruction”, sh.p.k., e cila është një konflikt me palë të treta për pronësinë e një sipërfaqeje toke prej 59.090 m2 në Gjirin e Lalëzit, Durrës, të blerë nga kjo shoqëri. “Nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit kjo ankesë konsiderohet e drejtë dhe dispozitat përkatëse të ligjit dhe akteve të qeverisë konsiderohen antikushtetuese”, - thuhet në kërkesën në fjalë. Neni i ankimuar nga Dobjani parashikon fshirje të regjistrimeve të bëra për një pronësi pas regjistrimi të parë. “Në rastet kur për të njëjtën pasuri janë bërë më shumë se disa regjistrime, të cilat nuk kanë rrjedhur nga njëri-tjetri, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, regjistruesi me vendim të arsyetuar i kërkon kryeregjistruesit të vendosë fshirjen e regjistrimeve të bëra pas regjistrimit të parë, kur ky i fundit është në përputhje me nenet 192-197 të Kodit Civil, duke bërë shënimin në kolonën përkatëse. Deri në nxjerrjen e vendimit të kryeregjistruesit për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe mbi pasurinë nuk mund të bëhen veprime, si dhe njofton palët e interesuara brenda 10 ditëve”, - thuhet në nenin 10 të ligjit. Kjo dispozitë është gjykuar nga Avokati i Popullit në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës dhe nenin 153 të Kodit Civil. “Mënyra e fshirjes së regjistrimeve nga ZRPP-ja në rrethe, sipas paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 10 të këtij ligji, bie ndesh hapur me garancitë kushtetuese për pronën”, - vijon kërkesa. Për këtë arsye ai kërkon shfuqizimin e paragrafëve në nenin 10 si antikushtetues si dhe pezullimin e ligjit deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për këtë ankesë.

Titujt e pronësisë

Gjykata Kushtetuese është duke gjykuar ankesën e Avokatit të Popullit mbi kushtetutshmërinë e ligjit që parashikon verifikimin e titujve të pronësisë për tokat e marra me ligjin nr. 7501 ose të tokave të ish-fermave. Për kërkesën në fjalë trupi gjykues ka dëgjuar pretendimet e palëve dhe është tërhequr për të marrë vendimin mbi antikushtetutshmërinë.

Ankesa e OPE-së

Seanca e radhës e gjykimit nga Kushtetuesja është një kërkesa e Organizatës Profesionale e Ekonomistëve, gjykim i cilës do të nisë më 6 tetor. Ajo parashikon “shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit nr. 10091, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›