E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e biznesmenit, policia merr në pyetje 25 persona, hetohet pista e konfliktit për prona



SHKODËR – Ende nuk ka një autor dhe një arsye vrasja e ndodhur dy net më parë në qytetin Shkodrës, ku në një pritë përpara shtëpisë humbi jetën biznesmeni Astrit Meshnuni.
Forca të shumta policie kanë nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe mësohet se kanë shoqëruar në polici të paktën 25 persona, të cilët janë pyetur dhe më pas janë lënë sërish të lirë. Gjithashtu bëhet e ditur se në vendngjarje janë gjetur 8 gëzhoja, të cilat janë të armës që vrau Meshnunin.

Hetimet
Ka shkuar në 25 numri i personave të shoqëruar në polici lidhur me ngjarjen e ndodhur në Shkodër. Personat e shoqëruar, sipas policisë, janë të njohur të afërt të viktimës, të cilët mund të kenë dijeni për ndonjë konflikt që viktima mund të ketë pasur. Gjithashtu, sipas policisë, pjesë e personave të shoqëruar janë dhe disa individë që njihen si kontingjent krimi në qytet.
Veç marrjes në pyetje të dëshmitarëve, Policia e Shkodrës ka bërë disa kërkime intensive përqendruar kryesisht në periferi të qytetit, në afërsi të kodrave të Tepeve, nga dhe ku ishte marrë sinjalizim se në atë drejtim ishin larguar autorët. Përveç forcave të shumta të policisë, në aksion kjo e fundit ka vepruar duke përdorur dhe qentë gjurmues. Mësohet se uniformat blu kanë marrë në pyetje dhe bashkëshorten e viktimës, e cila ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes, por nuk bëhet i ditur asnjë detaj lidhur me deklarimet që ajo ka dhënë përpara oficerëve të Policisë. Sipas të dhënave nga qyteti verior, bëhet e ditur se në Drejtorinë e Policisë së këtij qyteti është ngritur një grup i veçantë punë që po merret me ngjarjen, me agjentë dhe ekspertët më të mirë të Policisë. Veprimet për zbardhjen e ngjarjes po drejtohen nga vetë drejtori i Policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë. Pas veprimeve hetimore të kryera deri tani, në vendin e ngjarjes, në lagjen “Perash”, pranë shkollës 9-vjeçare “Ali Lacaj”, ku u qëllua me armë biznesmeni, janë gjetur tetë gëzhoja arme automatike tip “Kallashnikov”. Ato janë dërguar për ekspertim me qëllim identifikimin e armës së përdorur në krim, si dhe gjetjen e shenjave të mundshme të gishtave në to.

Pistat e hetimit
Policia e Shkodrës bën të ditur se janë ngritur disa pista hetimi, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për t'u ndalur te ndonjë pistë e veçantë e për më tepër tek autorët e ngjarjes.
Sipas burimeve policore, hetimet janë përqendruar kryesisht në të kaluarën e biznesmenit, ku dyshohet për ndonjë konflikt të vjetër që mund të ketë të bëjë me çështje pronësie. Megjithatë, sipas policisë, është ende herët për të saktësuar në lidhje me motivet, gjithçka është duke u hetuar në detaje.
Sipas mediave vizive bëhet e ditur se i vetmi detaj kryesor për ngjarjen është fakti se biznesmeni është qëlluar nga një person i vetëm pa maskë, përshkrimi fizik i të cilit mbahet sekret dhe pas ngjarjes autori është larguar më këmbë në drejtim të periferisë, nga kodrat e Tepes. Nga ana e saj policia ka ndërtuar dhe një skemë të ngjarjes. Autori i ka zënë pritë biznesmenit te dera e shtëpisë, është afruar me automatik kallashnikov në dorë duke i kërkuar biznesmenit të zbresë nga makina në momentin që ndodhej fare pranë banesës. Në këtë kohë mes viktimës dhe autorit janë shkëmbyer disa fjalë dhe autori në fillim ka qëlluar me dy plumba biznesmenin dhe më pas ka derdhur mbi të një breshëri plumbash, ku kanë qenë prezentë gruaja dhe dy fëmijët. Përveç pistës që mund të ketë lidhje me konflikte të hershme për çështje pronësie, policia nuk përjashton mundësinë që vrasja të ketë qenë dhe e porositur, por deri tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete.

Kush ishte Astrit Meshnuni

Astrit Meshnuni, 41 vjeç, babai i tre fëmijëve, njihej në Shkodër si biznesmen kryesisht në fushën e ndërtimeve. Në fillim të viteve 1994-1997 ai ka punuar si efektiv i Drejtorisë së Policisë së Shkodrës dhe merrej kryesisht me përgatitjen fizike të policëve. Më pas ai iu fut biznesit në ndërtime, ishte pronar i një kompleksi tregtar dykatësh prej 80 dyqanesh në hyrje të Shkodrës pranë urës së Bunës, që njihet me emrin "Bexhisteni".

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›