E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbledhje qeverie/ Berisha: Është rritur numri I fermerëve që aplikojnë për mbështetje nga granti qeveritar

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e  Qeverisë, se "për këtë vit është rritur numri i fermerëve që kanë aplikuar për mbështetje nga granti i qeverisë". Duke vlerësuar si shumë pozitiv këtë fakt, Kryeministri theksoi se "aplikimi bëhet me projekte të qarta dhe të studiuara". "Ata që po bëjnë vlerësimin e projekteve konstatojnë se numri i projekteve fituese është shumë i madh, veçanërisht në projektin e ullirit", tha Kryeministri. Sipas tij "në 4 muaj janë mbjellë me subvensionim mbi 2 milionë rrënjë ullinj, ose pothuajse sa gjysma e të gjitha rrënjëve të ullinjve që ekzistojnë në Shqipëri". Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi që grantet të lëvrohen sipas sezoneve, në mënyrë që qeveria të japë shtesën e nevojshme për të mbuluar kërkesat e të gjithë fermerëve që kanë aplikuar. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi që të përpunohen kritere të reja për subvensionimin e fermerëve në zonën verilindore dhe juglindore, nga Delvina në Dukagjin. "Në 3 vjet pothuajse është dyfishuar prodhimi i frutave, veçanërisht kultura e mollës ka njohur një zhvillim shumë të madh në rrethin e Korçës, Pogradecit, Kolonjës dhe Dibrës", tha Kryeministri Berisha. "Jo çdo rreth mund të trajtohet njëlloj ndaj duhet të përcaktohen kritere mbi bazë komunash", tha Kryeministri duke shtuar se "një pjesë e Dibrës dhe lugina e Tropojës kanë specifika të ndryshme nga komunat e Lurës, Lekbibajt etj. Ministria e Bujqësisë do të ketë programe informative me mediat lokale, për të informuar intesivisht fermerët për çmimet e bursës dhe çmimet e tregut. Duhet t'u kërkohet fermerëve që të mos marrin çmimet e referencave në dogana, të cilat në disa raste kanë si synim mbrojtjen e tyre", u shpreh Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›