Mblidhen në një gëzim familjar, rrahin një nga të ftuarit
FIER/ POlicia ka shpallur në kërkim Eduart e Tomor Doganin, pasi akuzohen se kanë plagosur një shtetas
FIER - Kanë qenë në një gëzim familjar dhe pas saj midis disa prej pjesëmarrësve në këtë banket ka nisur një grindje që ka përfunduar në shtrimin në spital të njërit prej tyre. E.C., 20 vjeç, banues në Fier ka mbetur i plagosur, ndërsa mësohet se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 18:00 në fshatin Kraps.
Burime nga policia bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur për çështje nderi ku dyshohet se i plagosuri u ka ngacmuar autorëve një të afërme, çka ka çuar edhe në reagimin e tyre. Shtetasit Eduart Dogani, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Arapaj dhe Tomor Dogani, 30 vjeç, banues në Fier në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë një debati kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin.
Ky i fundit është çuar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe për shkak të dëmtimeve serioze që kishte marrë gjatë goditjeve në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit është dërguar në Spitalin Ushtarak, në Tiranë për një ndërhyrje më të specializuar. Mësohet se aktualisht ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit u kryen veprimet e para hetimore dhe vazhdon puna për arrestimin e shtetasve Eduart dhe Tomorr Dogani, të cilët janë shpallur në kërkim për "plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim", vepër e parashikuar nga neni 88 dhe 25 i Kodit Penal. K.Thanasi