Çmimet, monitorimi i tregjeve deri më 31 dhjetor
Monitorimi i tregjeve në kryeqytet për çmimet do të vijojë deri në datën 31 dhjetor. Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë nga nata e ndërrimit të viteve, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme monitorimin e tregjeve me shumicë dhe pakicë në kryeqytet, për t’i prerë rrugë abuzimit me çmimet. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorëve, Drejtoria e Tatim-Taksave dhe Policia Bashkiake, së bashku me Drejtorinë Rajonale të Tatim-Taksave kanë shtuar praninë e inspektorëve të tyre nëpër tregjet e kryeqytetit në këtë prag fundviti, ku vitet e shkuara është vënë re edhe abuzimi më i madh me çmimet. Për të monitoruar situatën në tregje, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti ka qenë sërish në terren. Gjatë inspektimeve, Panariti shprehu përsëri vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të kryeqytetit. “Nuk do të tërhiqemi, për sa kohë që jemi të bindur se u shërbejmë interesave të konsumatorëve, interesave të blerësve, për sa kohë jemi të bindur që mbrojmë xhepat e qytetarëve të kryeqytetit nga spekulantët”, - theksoi Panariti. Nga ana tjetër, ai falënderoi tregtarët, të cilët janë treguar të drejtë dhe nuk kanë abuzuar me çmimet, sikundër shprehu vendosmërinë e Bashkisë për të vijuar me monitorimin e tregjeve deri në ditën e fundit të këtij muaji. Nga të dhënat e mbledhura gjatë ditës së djeshme nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve, rezulton që çmimet vazhdojnë të ruajnë të njëjtin nivel dhe nuk është konstatuar abuzim me to.