E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet kryesia e LSI-së, Meta: Alternativa e vetme e majtë më 15 nëntor



Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie se në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit, qytetarët mund të votojnë LSI-në si të vetmen alternativë të majtë. Sipas Metës, qytetarët mund të votojnë LSI-në si mundësinë e vetme të majtë dhe ftoi qytetarët të votojnë. “Po kështu, ju e dini që më 15 nëntor zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore. E dini dhe vendimin e PS-së për t’i bojkotuar, sigurisht kjo është e drejta e tyre. Por, sigurisht, është dhe përgjegjësia jonë që të mos i lëmë qytetarët në këto zona ku do zhvillohen zgjedhjet vendore, pa alternativa, pa mundësi zgjedhjeje dhe në radhë të parë ata qytetarë, të cilët janë të majtë dhe preferojnë të votojnë për një alternativë të majtë”, - deklaroi Meta. Ai tha në këtë mbledhje kryesie se sfidat e LSI-së janë në qeverisje. “Në këtë drejtim, unë jam i bindur që, në radhë të parë, sfidat tona janë vetë ato të qeverisjes, si vetë forcë bashkëqeverisje, që kanë të bëjnë më arritjen e objektivave shumë të rëndësishme kombëtare në një plan afatshkurtër, lidhur me garantimin e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian dhe në një plan afatgjatë, lidhur me marrjen e statusit kandidat dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin tonë në BE”, - deklaroi Meta në mbledhjen e kryesisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›