Ministri Imami, në Ministerialin e NATO-s
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, niset sot drejt Sofjes së Bullgarisë, ku do të zhvillohet më datë 20 dhe 21 tetor Ministeriali i SEDM-it (Southeastern Defence Ministerial) Ministeriali i Mbrojtjes i Evropës Juglindore. Ndërsa në datat 22-23 tetor do të zhvillohet në Bratislavë të Sllovakisë Ministeriali i NATO-s, ku do të marrin pjesë ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s. Ministeriali i SEDM-it, që zhvillohet në Sofje të Bullgarisëm, do të ketë në qendër të bisedimeve disa çështje që kanë të bëjnë me forcimin e rolit të SEDM-it si forum i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe dialogut për sigurinë në rajon: adoptimin e rolit të SEDM-it në përputhje me ndryshueshmërinë e ambientit të sigurisë në rajon; përgatitjen e SEEBRIG-ut (komandën e të cilit aktualisht e ka Shqipëria) në kuadër të ndërhyrjeve të emergjencave civile, si dhe zgjerimin e kontakteve me organizma të tjerë ndërkombëtar. Çështjet që do të bisedohen në Ministerialin e NATO-s do të publikohen nga NATO-ja menjëherë pas mbarimit të tij.