PS vendos të bëjë një program politik, anim djathtas
Partia Socialiste ka vendosur të bëjë program politik të ri, duke tentuar të tërheqë vëmendjen e elektoratit, megjithëse nuk është kohë zgjedhjesh. Duket se ky program do të jetë dhe jetësim i sloganit të Ramës “Përtej së majtës e së djathtës”, duke futur në këtë program çështje që janë parë gjithmonë si prioritete të së djathtës, siç është çështja e pronave. Ndërkohë ishte pikërisht mungesa e një programi qeverisës politik në fushatën e qershorit ajo që shihet si nga elementët kyç të humbjes së kësaj force politike në zgjedhje. Për herë të parë, një drejtues i kësaj partie pranon se votuesit kanë votuar kundër projektit politik të PS-së dhe partia vazhdon të kontestojë zgjedhjet, duke e paraqitur humbjen si fitore. Pandeli Majko, i cili është pozicionuar tashmë si mbështetës i kryetarit Edi Rama, tha dje për “Top Channel” se “e majta po përpiqet të rikuperojë vetveten brenda një logjike të caktuar, - sepse argumenton ai, - votuesit duhet të votojnë pro ose kundër një projekti dhe jo pro apo kundër dikujt”. Duke folur për programin e ri politik që kjo parti synon të hartojë, Majko sqaron se do të ketë si bazë riparimin e marrëdhënieve të plasaritura deri në imoralitet mes votuesve dhe politikës. Ai veçon disa çështje që politika, sipas tij, i ka lënë pa zgjidhje, si ajo e pronësisë dhe ish-të përndjekurve politikë, që në fakt janë çështje që i përkasin kauzës së djathtë. “Shteti shqiptar, në marrëdhënie me pronarët, është në kufijtë e një krimi të mirëfilltë ekonomik. Problem mbetet edhe çështja e legalizimeve, ndërsa lëvizja e njerëzve nga qyteti në fshat nuk ka nisur mirë”, - thotë Majko. Ai shkon dhe më tej, duke pranuar gabimet e PS-së në zgjedhje, që sipas tij, ka të bëjë me një element thelbësor: “Marrëdhënien e plasaritur mes votuesve dhe politikës”. Ndërkaq ai guxon dhe bën paralele me të majtën e viteve ’30, duke thënë më tej se PS po sheh edhe gjenezën e saj. “Mund të duket e tepruar, por rivarrosja e dy figurave të veçanta të historisë, Fan Noli dhe Ahmet Zogu, duhen kuptuar qartë. Zogu përbën gjenezën e së djathtës, ndërsa Noli të së majtës. Këto dy figura mbeten aq të çuditshëm përballë njëri-tjetrit, ashtu siç mbeten të çuditshme e majta dhe e djathta sot”, - shprehet Majko.
Spartak Ngjela punësohet nga PS-ja, avokat i padisë për kufirin
Avokat Spartak Ngjela ka gjetur jo vetëm përputhje mendimesh me PS-në dhe kryetarin e saj, Edi Rama, për kauzën e hapjes së kutive, por tashmë ai ka vendosur dhe të vërë në shërbim të opozitës profesionin e tij si avokat. Ngjela do të jetë avokati i PS-së në padinë që ajo ka ngritur në Gjykatën Kushtetuese. “S’kam pse ta fsheh, do ta paraqes vetë përpara Gjykatës Kushtetuese. Do jem dhe si avokat. Ne dyshojmë se këtu mund të ketë një aferë të madhe korruptive, për faktin se aty do kalojnë tubat e gazsjellësit dhe Shqipëria humbet rreth 200 milionë euro në vit. Pyetja është se kush i fiton? Këtë do ta gjejnë organet përkatëse”, - tha Ngjela dje për median. Avokati, dikur deputet i PD-së, zbardh dhe 3 pikat kryesore të ankesë padisë, që do të depozitohet të martën në Gjykatën Kushtetuese. “Është cenuar territori. Cenimi i territorit është neni 3 i Kushtetutës. Është krim i rëndë në kodin penal. Janë shumë gjëra të rënda rreth kësaj marrëveshjeje. Fakti që bëhet një marrëveshje kuptohet që nuk është territor grek, por është territor shqiptar se po të ishte territor grek nuk do të kishte nevojë për marrëveshje me Shqipërinë. Ekziston vendimi i Gjykatës së Hagës, që Shqipëria të ndëshkohet me pagesën e reparacioneve për një dëm që i sjell flotës angleze pas një shpërthimi bombe në territorin shqiptar. Ka qenë një konflikt i vjetër anglo-shqiptar, i cili është zgjidhur me anë të këtij vendimi, të cilin e kemi pranuar dhe e kemi paguar një ton e gjysmë ar”, - tha Ngjela.