Mblidhet sot Këshilli Bashkiak, si do të reduktohen taksat
Këshilli i ri Bashkiak i Tiranës do të organizojë sot mbledhjen e tij të parë, që
pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, ku do të paraqiten për miratim disa vendime të rëndësishme. Një ditë para mbajtjes së mbledhjes së këtij këshilli, që nuk ka funksionuar prej 1 viti e gjysmë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha prezantoi dje pesë projektvendimet që do t’i kalojnë për shqyrtim dhe miratim Këshillit Bashkiak.
Në një konferencë për shtyp, Basha theksoi se Këshillit Bashkiak do t’i paraqiten 5 propozime, mes të cilave: shpalljen “Nderi i Tiranës” të kryeministrit të Kuvajtit dhe aktores Eliza Dushku, vendimin e rëndësishëm për ristrukturimin e administratës së Bashkisë, propozimin për uljen e taksave të Bashkisë dhe kalimin e ekipit të Futboll-Klub “Tiranës” një shoqëri aksionere. “Vendimi tjetër që do t’i paraqes Këshillit Bashkiak për miratim, ka të bëjë me eliminimin apo uljen e 60 taksave apo tarifave bashkiake. Ulja e këtyre taksave e tarifave, kombinuar me zbatimin në Tiranë të sportelit të vetëm për licencat dhe për lejet, proces i cili është në zhvillim e sipër, në bashkëpunim me Bankën Botërore janë dy nga premtimet e mia dhe dy nga vendimet më të rëndësishme sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe stimulimit të rritjes ekonomike, nëpërmjet krijimit të hapësirave për biznesin e vogël, të mesëm, VIP, kompanitë ekzistuese dhe ato që duan të investojnë në Tiranë, duke shmangur çdo burokraci”, - ka theksuar kreu i Bashkisë.
Bashkia e Tiranës ka përgatitur paketën e re fiskale, e cila parashikon heqjen apo reduktimin e 60 taksave që qytetarët apo bizneset kanë paguar në vite, që në total janë 81 tarifa administrative, nga të cilat propozohet që të mbeten në fuqi vetëm 21. Ndër ndryshimet kryesore në paketën e re fiskale të bashkisë së kryeqytetit është reduktimi i afro 60 tarifave administrative dhe shërbimesh. Kështu, nga 64 që janë aktualisht do të ngelen në fuqi vetëm 7, ndërsa nga 17 tarifa shërbimi do të mbetem 14. Paketa e re fiskale e Bashkisë së kryeqytetit parashikon heqjen e tarifave që paguajnë qytetarët në zyrat e minibashkive, si pagesat e vërtetimeve për banorë lagje, për ndarje apo bashkim familjar, aplikimet për të pastrehët etj. Ndërsa sa i përket taksës vjetore të pastrimit apo gjelbërimit për familjarët ato nuk do të ndryshojnë. Kurse për biznesin, ndër të tjera është parashikuar ulja e taksës së gjelbërimit, ajo e pastrimit si dhe taksa e reklamës. Për tarifat e shërbimeve në fushën e transportit tarifa prej 2 mijë lekësh që paguhej për marrjen e lejes është shfuqizuar. Ndërkohë që janë parashikuar ndryshime edhe për tarifat për lëshimin e dokumenteve të urbanistikës, strehimin, aktivitetet kulturore etj.
Paketa e re fiskale
Reduktimi 60 i taksave dhe tarifave vendore
Nga 64 tarifa administrative do të mbeten 7
Nga 17 tarifa shërbimi do të mbetem 14
Nga 81 do të mbeten 21 tarifa administrative
Heqja e tarifave në zyrat e minibashkive
Kufizim tarifash në fushën e transportit
Shfuqizimi i tarifës për mirëmbajtjen e rrugëve
Eliminimi i disa tarifave të urbanistikës
Struktura e re e Bashkisë, skema e organizimit
Parashikohet ngritja e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, hapja e Drejtorisë së Turizmit dhe dy të tjerave për Investimet e Huaja dhe ato Strategjike
Administrata qendrore e Bashkisë së Tiranës pritet të ketë një strukturë të re. Të paktën ky është propozimi që bën vetë kreu i këtij institucioni, Lulzim Basha. Lidhur me vendimin për ristrukturimin e administratës qendrore të Bashkisë së Tiranës, Basha ka shpjeguar se në konceptimin e ri të kësaj strukture, në fushat kryesore, faza e planifikimit dhe e operimit do të vendosen në të njëjtën përgjegjësi, çka do të përmirësojë sipas tij, eficiencën e shërbimit ndaj qytetarëve. Kreu i Bashkisë është shprehur se do t’i paraqesë për miratim Këshillit Bashkiak ngritjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, që do të mbrojë interesat e këtyre të fundit. “Struktura për këtë agjenci është bërë gati me ndihmën e ekspertëve më të mirë në vend, të sektorit publik dhe të shoqërisë civile, të ardhur nga drejtime të ndryshme të kësaj fushe dhe që përfaqësojnë jo vetëm mendim profesional dhe ekspert, por edhe një gjithpërfshirje të angazhimit të tyre aktiv apo pasiv politik. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka një detyrë shumë të rëndësishme, mbrojtjen e interesave të konsumatorit të Tiranës, nëpërmjet investigimit, hulumtimit, ballafaqimit dhe penalizimit të atyre, që duke shkelur rregullat e tregut të lirë manipulojnë, spekulojnë me cilësinë, çmimet, me reklamimin e rremë, duke imponuar një kosto ndaj qytetarëve të Tiranës dhe konsumatorëve në tërësi, ndaj së cilës Bashkia nuk mund dhe nuk do të mbyllë më sytë”, - ka pohuar Basha. Më tej, kryebashkiaku ka bërë të ditur se në strukturë do të hyjë për herë të parë edhe Drejtoria e Turizmit. Po kështu, struktura e re do të ketë një zyrë dhe Drejtori të Investimeve të Huaja, e cila do të ketë qëllim kryesor promovimin e Tiranës, si një ambient i përshtatshëm dhe i preferuar për investimet e huaja. Do të krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike, e cila, përveç Drejtorisë së Investimeve të Huaja dhe Parkut Teknologjik, do të kujdeset për disa nga projektet kryesore, strategjike të kryeqytetit në 4 deri në 8 vitet e ardhshme, siç janë shtrirja e aksit kryesor nga bulevardi verior i qytetit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të Tramit, përfundimi në faza i Unazës së Madhe dhe investime të tjera të një natyre strategjike për qytetin e Tiranës. Ndërkaq, Drejtoria e Sportit, Artit, Kulturës dhe Rinisë do të ndahet në dy drejtori të veçanta, një për artin dhe kulturën dhe një për sportin dhe rininë. Pjesë e strukturës së re të Bashkisë do të jenë edhe dy zyra të reja, me qëllim gjithëpërfshirjen e qytetarëve, sidomos kategorive vulnerabël, siç janë pakicat dhe gratë. Njëra prej këtyre zyrave do të jetë Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe tjetra do të jetë Zyra për Barazinë Gjinore.
Struktura e re e Bashkisë
Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit
Drejtoria e Turizmit
Drejtoria e Investimeve të Huaja
Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike
Drejtoria për Artin dhe Kulturën
Drejtoria për Sportin dhe Rininë
Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Zyra për Barazinë Gjinore