E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, Basha kërkesë për hapjen e tenderit

Përveç vendimeve të parashikuara në rendin e ditës për mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë do të kërkojë votën edhe për një projekt urgjent. Ai theksoi se do t’i kërkojë Këshillit të aprovojë hapjen e tenderit për projektin teknik për segmentin e Unazës së Madhe, nga Shkolla Teknologjike deri në dalje të Tiranës së Re. “Do kërkoj nga këshilli të aprovojë në kuadrin aktual buxhetor, hapjen e tenderit për projektin teknik të një segmenti shumë të rëndësishëm të Unazës së Madhe, pikërisht nga Shkolla Teknologjike, tek Qendra ‘Kristal’, ku do të lidhet aty me pjesën e Unazës së Madhe, që është në ndërtim e sipër. Ky projekt teknik do të hartohet tërësisht me burimet financiare të Bashkisë së Tiranës dhe pas kësaj, ne do të kërkojmë partneritetin e qeverisë dhe institucioneve të tjera financiare, për të nisur menjëherë punimet, të bindur se investimi në këtë pjesë të Unazës së Madhe do të sjellë një përmirësim të jashtëzakonshëm të situatës së rënduar të trafikut në Tiranë”, - deklaroi Basha. Në fund ai ka shpjeguar se pjesë e këtij projektimi, sipas termave të referencës do të jetë edhe rrethrrotullimi i Doganës, një zgjidhje afatgjatë, nëpërmjet propozimit të kalimit me dy nivele në këtë rrethrrotullim. Sipas kreut të Bashkisë, rishikimi i projektit të vjetër që ekziston për këtë projekt dhe projektimi i plotë në kushtet aktuale të trafikut dhe në projeksionet e rritjes së trafikut, do të jenë specifikat kryesore të këtij tenderi. Në mbyllje të fjalës së tij Basha ka lëshuar edhe një apel duke kërkuar miqësisht nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, që të votojnë edhe këtë projekt të paraqitur nga Bashkia e Tiranës, pasi sipas tij, nuk ka kohë për të humbur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›