Mblidhet sot Kuvendi PD, Berisha konkuron pa asnje rival
TIRANE- Sali Berisha, kreu aktual i Partisë Demokratike, pritet të rikonfirmohet me shumicën e votave të 1260 delegatëve të pranishëm në Kuvendin e nëntë të kësaj partie, që mbahet sot në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa për Këshillin Kombëtar të kësaj partie, si forumi më i lartë vendimmarrës, konkurrojnë plot 400 kandidatë, prej të cilëve do të zgjidhen vetëm 125; për postin e kryetarit nuk do të ketë asnjë kandidaturë tjetër. Duke folur për zgjedhjet e sotme në Kuvend, kryeministri theksoi se përzgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar do të jetë e vështirë, por nuk e konsideroi si të tillë zgjedhjen e kryetarit. "E kuptoj se përzgjedhja është e vështirë, por kam besim se delegatët e kuvendit do të votojnë për kandidatët më të mirë, do të votojnë për kryetarin e tyre, Sali Berisha", - u shpreh ai në konferencën e mbajtur mbrëmë në selinë e Partisë Demokratike. Madje, ai udhëzoi organizuesit e kuvendit që numërimi i votave të bëhet në mënyrë elektronike, ashtu siç u bë dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në daljen e tij të mbrëmshme, kryeministri foli për historikun e themelimit të PD-së, që sipas tij, është themeluar më 11 dhjetor 1990, në orën 23:00, dhe me këtë rast ai i ftoi publikisht të gjithë pjesëtarët e hershëm të partisë, qoftë edhe anëtarët që janë larguar për arsye të ndryshme nga partia. "Jam këtu për të ftuar të vijnë në kuvend, të ftuar nga kryetari i partisë, të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre në historikun e kësaj partie nga dita e themelimit e deri më sot, pavarësisht pozicionimit të tyre, nesër është ditë fitoreje dhe ditë mirëkuptimi për të gjithë. Në rast se protokollet kanë harruar ndonjë ftesë, u adresohem nga kjo platformë që të jenë të pranishëm në kuvendin e PD-së", - deklaroi Berisha. Sipas tij, në Kuvend është i ftuar edhe Edi Rama, si kreu i Partisë Socialiste, si një nga pjesëmarrësit në një nga mbledhjet e themelimit të PD-së. Berisha shtoi më tej se Rama jo se qëndroi gjatë, "vetëm 18 minuta, pasi atë e larguan për disa arsye që nuk dua t'i them këtu, pasi ai do të jetë i ftuar".
(s.g/BalkanWeb)
(s.g/BalkanWeb)