Serbët e Kosovës, Ilir Metës: “Mirë se erdhe në Prishtinë!”
PRISHTINË – “Mirë se erdhe Ilir Meta në Prishtinë!” Me këto fjalë e ka pritur komuniteti serb që jeton në periferi të kryeqytetit të Kosovës ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, zotin Ilir Meta, i cili po bën një vizitë dyditore në kryeqytetin kosovar. Burimet zyrtare të selisë diplomatike në Tiranë bëjnë të ditur se dje “zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, u takua me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë, zotin Sllobodan Petroviç, kryetar i Partisë Liberale serbe dhe zotin Sasha Rasiç, ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve në qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, Meta përshëndeti pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit serb në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit dhe theksoi se kjo do t’i shërbejë integrimit të mëtejshëm të tyre në institucionet e qeverisjes lokale e qendrore”. Ai shprehu bindjen se kjo klimë e qetë e paqësore do të ndihmojë në kthimin e personave të shpërngulur të komunitetit serb. “Zoti Meta theksoi se bashkëpunimi dhe dialogu konstruktiv u shërben së pari interesave të të gjithë serbëve të Kosovës, si dhe së ardhmes europiane të shtetit të ri”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme. Shefi i Diplomacisë premtoi se qeveria e Shqipërisë do të japë kontributin e saj për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit ose për ndërtimin e objekteve social-kulturore në komunat me shumicë serbe. Petroviç dhe Rasiç falënderuan zotin Meta për takimin që u rezervoi përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë dhe i uruan në gjuhën shqipe “Mirë se erdhët në Prishtinë!”, thuhet në deklaratën e bërë për këto takime. Sipas saj, dy liderët serbë vlerësuan se kontributi i Shqipërisë në procesin e kthimit është një veprim tepër i mirëpritur nga ana e tyre. Ministri i Jashtëm shqiptar takoi edhe përfaqësuesin e komunitetit turk, në Kosovë, z. Mahir Yaðcilar, i cili mban postin e ministrit të Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor. Burimet zyrtare thonë se ata vlerësuan rëndësinë e madhe të zhvillimit të qetë dhe brenda standardeve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Gjithashtu, ata ndanë besimin se në të ardhmen, priten njohje të reja për shtetin e pavarur të Kosovës.
Në përfundim të vizitës dyditore në Kosovë, zëvendëskryeministri Ilir Meta u takua edhe me komandantin e KFOR-it dhe bëri homazhe para varreve të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe të heroit të rezistencës kosovare, Adem Jashari në Prekaz.
27 Nentor 2009