Mblidhte krom, 45-vjeçarja shkelet nga fadroma
Policia po heton për aksidentin. E lënduara, në Spitalin Ushtarak në Tiranë
Një grua rrezikon të gjymtohet për shkak të plagës që ka marrë në këmbë nga një fadromë që punon për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Lagjen e Re të qytetit të Bulqizës, ku po punohet për ndërtimin e lotit të dytë të rrugës Bulqizë-Ura e Vashës.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se 45-vjeçarja Lirie Hasa, nënë e tre fëmijëve, ka qenë duke mbledhur krom kur është aksidentuar nga një fadromë. Gruaja ka qenë duke seleksionuar mineralin nga grumbujt e sterilit, kur mjeti i tonazhit të rëndë e ka shkelur në këmbë. Makina ka qenë duke shpërndarë grumbujt e materialit për shtrimin e rrugës dhe ende nuk dihet nëse aksidenti ka ndodhur nga mbulimi me gurë kromi apo kapja e këmbës nga kova e fadromës. Por, gjithsesi, do të jenë hetimet e grupit të ekspertëve të policisë ata që do të zbardhin shkaqet e këtij aksidenti të rëndë. Ndërkaq, pas aksidentimit, gruaja është dërguar me urgjencë për në spitalin e Bulqizës, ku u është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Mjekët kanë konstatuar se gruaja kishte një plagë të madhe në kërci dhe frakturë të këmbës. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore, bluzat e bardha të Burrelit kanë kërkuar transportimin e të lënduarës me helikopter drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, për të marrë ndërhyrje më të specializuar mjekësore. Ndërkohë, burime nga policia lokale konfirmojnë aksidentin, por pa dhënë një variant zyrtar se si ka ndodhur ngjarja apo nxjerrjen e përgjegjësive për lëndimin e nënën së tre fëmijëve. Të njëjtat burime kanë konfirmuar se po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe për momentin nuk ka të shoqëruar nga ana e tyre.
çdo ditë dhjetëra banorë të qytetit të Bulqizës, kryesisht gra dhe fëmijë, “vërshojnë” në rrugë për të mbledhur mineral nga grumbujt e gurëve të shkarkuar prej makinave të tonazhit të lartë. Edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se firma që punon për ndërtimin e Rrugës së Arbrit ka hezituar të ndalojë banorët të mbledhin gurët e kromit, duke e ditur se ata e pengonin mjaft punën e tyre. Varfëria i detyron banorët e zonës të gërmojnë çdo ditë në pirgun e mineraleve, ndonëse jeta e tyre vihet në rrezik dhe prania e tyre në rrugë bëhet burim aksidentesh.
#