E Diel, 1 Nëntor 2026

Peng dhe dhunë seksuale për tri ditë adoleshentes

Pranga për 3 prej autorëve. 15-vjeçarja ishte denoncuar e zhdukur nga familjarët
Nuk pranon të kryejë marrëdhënie më të dashurin dhe mbahet peng për tri ditë. Gjatë ditëve që ajo nuk është lejuar të dalë nga banesa, ku e mbanin forcërisht, është tentuar përdhunimi i saj disa herë. Kjo është historia që i ka ndodhur një 15-vjeçareje nga Tirana, e cila duke u arratisur është përplasur me një patrullë policie, ku u ka treguar çdo gjë. Tmerri për të ka përfunduar vetëm dje, kur policia ka arrestuar tre nga autorët e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ka shpallur në kërkim një të katërt. Që ditën që ajo mbahej peng, një e afërme e saj kishte denoncuar zhdukjen, por policia nuk kishte rënë në gjurmët e saj derisa ajo kishte gjetur një patrullë të uniformave blu.
Zhdukja e vajzës
Historia rrëqethëse e adoleshentes ka nisur pikërisht në datën 17 janar. Atë ditë ajo ka folur në telefon me të dashurin e saj 20-vjeçar. Anxhela D., i ka treguar atij se po qëndronte te një e afërme dhe se do të shkonte ta takonte. Rreth orës 11:00 të asaj dite, ajo ka dalë nga banesa e Lumturie D., 50 vjeçe, me pretendimin se po dilte me shoqet e saj. Sapo ka dalë nga banesa, e cila ndodhej në rrugën “Don Bosko”, është takuar me të dashurin, i cili e priste me një mjet “Mercedes Benz”, me targa TR1251I. Të dy bashkë kanë shkuar në shtëpinë e poseduesit të mjetit, një banesë e marrë me qira në Kombinat. Kur kanë hyrë brenda dhe pasi kanë kaluar pak kohë bashkë, i dashuri ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Megjithatë ajo nuk ka pranuar dhe këtu ka plasur sherri mes tyre. Në këto kushte, ai ka mbyllur derën dhe nuk e ka lejuar Anxhelën të dalë jashtë. Pa kaluar shumë kohë, i dashuri i saj ka telefonuar miqtë e tij dhe aty kanë ardhur tre djem të rinj.
Sipas të dhënave të policisë, ata kishin marrë edhe hashash me vete dhe të gjithë bashkë, Sajmir Prenga 20 vjeç, Jah Metalija 24 vjeç, Taulant Necaj 20 vjeç dhe një tjetër i ri nga Laçi, i cili është identifikuar, por akoma nuk është arrestuar, kanë tymosur për 2-3 orë. Pasi kanë kaluar nën efektin e lëndës narkotike, i dashuri i vajzës dhe një nga shokët e tij kanë tentuar ta përdhunojnë. Ajo nuk ka pranuar, duke bërtitur dhe ka tentuar të largohet. Më pas ata e kanë lënë sërish të qetë. Pastaj vajzën e ka zënë gjumi dhe nuk ka mundur të arratiset.
Momentet e tmerrit
Në datë 18, që në mëngjes herët, e afërmja e vajzës, Lumturia, është paraqitur në Komisariatin Nr.3 dhe ka kërkuar ndihmën e policisë. Në denoncim ajo është shprehur se 15-vjeçarja ishte zhdukur që një ditë para dhe nuk ishte kthyer në banesë. Kështu, ajo ka vënë në dispozicion të policisë foton e vajzës dhe gjeneralitetet e nevojshme. Por policia, edhe pse i ka shpërndarë te të gjithë shërbimet këto të dhëna, nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e saj. Kërkimet kanë vazhduar për tri ditë, si te të afërmit e tjerë të vajzës, por edhe te miqtë, ku ajo mund të ishte. Telefoni i saj qëndronte i fikur gjatë gjithë kohës dhe kjo i ka shqetësuar edhe më shumë familjarët. Gjatë tri ditëve, vajza ka përjetuar edhe më tej presion e tmerr nga katër të rinjtë, të cilët e mbanin forcërisht në banesë dhe nuk e lejonin të largohej. Shpesh herë ata tentonin ta përdhunonin dhe e kërcënonin se nuk do ta lironin derisa ajo të pranonte të bënte atë çfarë ata i kërkonin. Madje edhe ushqimet ia jepnin me racion, ndërkohë që e godisnin shpesh herë. E gjithë kjo situatë tejet e rëndë ka sjellë depresion të thellë te vajza, deri paraditen e datës 20 janar. Pikërisht para dy ditësh, të rinjtë kanë tentuar ta përdhunojnë sërish. Në këtë kohë, vajza ka bërtitur me sa zë që kishte dhe nuk pushonte, derisa ajo ka mundur të arratiset me vrap.
Ndërhyrja e policisë
Sapo ajo ka dalë në rrugë, është takuar me dy punonjës policie të patrullës së përgjithshme dhe e tmerruar u ka treguar se çfarë kishte ndodhur. Ata e kanë marrë menjëherë, duke e dërguar në komisariat, ndërkohë që janë dërguar shërbime të tjera policore për të shoqëruar të rinjtë, që ndodheshin në banesën e adresuar nga vajza 15-vjeçare. Sapo policia ka mbërritur në banesë, ka mundur të gjejë vetëm tre personat e lartpërmendur, të cilët i ka arrestuar në flagrancë, ndërsa personi i katërt ka mundur të arratiset. Gjithashtu, forcat policore kanë sekuestruar edhe mjetin e parkuar pranë banesës, me të cilin ishte marrë adoleshentja. Ndërkaq, policia ka ushtruar kontroll në banesë, duke gjetur edhe 38.4 gramë kanabis. Më pas, të rinjtë janë marrë në pyetje dhe kanë pranuar se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që edhe vajza e re ka dhënë dëshminë e saj rrëqethëse dhe më pas u është dorëzuar familjarëve. Nga të dhënat e policisë mësohet se vetëm dy prej këtyre personave kanë tentuar ta përdhunojnë vajzën e re, ndërkohë që dy të tjerët kanë ruajtur për të mos u dëgjuar nga njeri. Megjithatë, funksionet e tyre do të sqarohen nga hetimet e prokurorisë dhe aktualisht ata akuzohen për heqje të paligjshme të lirisë dhe tentativë të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›