E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për ca pika ujë në makinë, plumba 27-vjeçarit

Tiranë

Një sherr banal që ka nisur për dy pika uji nga një lavazhier ka përfunduar me një person të plagosur, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur te “Kthesa e Kamzës”, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorin e saj. Sipas të dhënave policore, rreth orës 12:30 drejtuesi i një mjeti, Ediland Ndreu, 27 vjeç, ka qenë duke kaluar përballë lavazhit, te hotel “Lubjana”, kur është lagur nga uji i lavazhit. Menjëherë ai ka reaguar duke debatuar me Zamir Muratajn, 30 vjeç, i cili ndodhej aty. Debati ka degjeneruar në konflikt mes dy personave dhe në një moment 30-vjeçari ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar ndaj Ndreut. I plagosuri është shtrirë përtokë dhe menjëherë kanë ndërhyrë kalimtarët, të cilët e kanë vënë në makinë, duke e nisur për në Spitalin Ushtarak. Në atë kohë, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe armën. Policia deklaron se mbërriti në vendin e ngjarjes pak kohë më vonë, duke bërë të mundur dokumentimin e ngjarjes dhe shpalli në kërkim autorin. Sipas të dhënave policore, aktualisht po punohet edhe për gjetjen e armës së krimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›