Përmbytjet, banorët nisin të riparojnë shtëpitë
Shkodër
Të dëmtuarit, mes dilemës për të pritur ekspertët dhe nisjes së rindërtimit të shtëpive. Ankesa për vonesat e dëmshpërblimeve
Pas zmbrapsjes së ujit, një pjesë e banorëve të zonës së Nënshkodrës kanë nisur riparimin e dëmeve, ndërsa pjesa tjetër është ende në pritje të ekspertëve. Familja Dukaj, nga fshati Trush i Poshtëm, ka nisur të riparojë vetë dëmet e shkaktuara nga “tërbimi” i Drinit. Vetëm një javë më parë, niveli i ujit në shtëpinë e tyre kishte arritur një metër lartësi. Ka katër ditë që uji është larguar dhe të zotët e shtëpisë shprehen se nuk mund të presin duarkryq deri sa të vijnë ekspertët për të vlerësuar dëmin, pasi duan të vazhdojnë jetën dhe kështu ata kanë nisur t’i bëjnë vetë riparimet. E zonja e shtëpisë, Zoge Dukaj, tregon se ka katër ditë që ajo dhe familja e saj janë kthyer në shtëpi. “Kam gjetur gjithçka të shkatërruar, që nga orenditë shtëpiake deri tek ushqimi për bagëtinë. Ne duam t’i kthehemi jetës në shtëpitë tona. Nuk mund të presim deri sa të vijnë ekspertët që të vlerësojnë shtëpinë, nuk mund të rrimë në rrugë derisa të na vijë radha. Kështu ne kemi nisur të riparojmë shtëpinë që nga suvatimet deri te lyerja e mureve. E di që kur të vijnë ekspertët kanë për ta gjetur shtëpinë time të rregulluar dhe vetëm nëse përdorin fotot satelitore mund të shikojnë se si shtëpia ime ka qenë e mbuluar me ujë. Por unë nuk mund të rri duarkryq dhe të pres në rrugë, derisa të më vijë radha. Ekspertët nuk kanë se çfarë presin më, ka katër ditë që ka ikur uji. Ende nuk ka ardhur njeri për të pyetur se çfarë dëmi na është bërë. Të vetmit që kanë ardhur kanë qenë njerëzit e komunës që interesohen për ushqimin e bagëtive”. Ndërkohë në fshatin Trush, punonjës të komunës kanë nisur të verifikojnë në çdo shtëpi nevojat për ushqimin e bagëtive, pasi deri në muajin prill ajo do të sigurohet nga shteti. Por ka nga ata banorë që nuk kanë prekur asgjë në pronat e tyre në pritje të ekspertëve. Një nga banorët e kësaj zone, Zef Gaci, na thotë: “Kemi ngelur si të ngrirë, nuk jemi në gjendje të lëvizim asgjë. I kam lënë të gjitha ashtu siç i ka shkatërruar përmbytja. Kam frikë se nëse filloj të rregulloj nuk do më besojnë dhe pastaj humbas edhe kompensimin”. Ndërkohë situata e përmbytjes në Qarkun e Shkodrës po shkon drejt normalizimit për sa i përket tërheqjes së ujit. Tashmë i vetmi shqetësim i banorëve të zonave të përmbytura mbetet verifikimi i dëmeve dhe marrja e dëmshpërblimit.
#