E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk dhanë portofolat

Grabitësit therin dy të rinj në mes të kryeqytetit
Rikthehen grabitjet me armë në mes të Tiranës, duke shkaktuar edhe dy të plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë, pikërisht pranë Piramidës. Persona të paidentifikuar u kanë dalë para dy të rinjve, ku u kanë kërkuar portofolat dhe pasi kanë marrë përgjigje negative, i kanë goditur me thika. Ngjarja e rëndë është shënuar pasditen e së mërkurës dhe policia është mobilizuar për identifikimin dhe gjetjen e autorëve. Sipas të dhënave policore, rreth orës 18:00, Dorjan Fidani, 16 vjeç dhe Gentian Kamberi, 27 vjeç, përkatësisht banues në Kombinat, po kalonin në bulevardin përbri Lanës, te Piramida. Aty në errësirë, poshtë pemëve të trotuarit, u kanë dalë disa persona përpara. Ata u janë afruar dhe duke i kërcënuar u kanë kërkuar t’u japin paratë që kishin me vete. Në ato momente, dy të rinjtë, me mospërfillje u kanë kërkuar që të largohen e t’i linin të qetë. Por, kjo i ka nxehur gjakrat dhe mes tyre ka plasur sherri. Në sherr e sipër, dy të rinjtë e lartpërmendur kanë marrë disa plagë me thikë. Më pas, autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa kalimtarët u kanë ardhur në ndihmë të dëmtuarve. Policia deklaroi se menjëherë është kontaktuar me të plagosurit, por ata nuk kanë mundur t’i identifikojnë autorët. Sipas të dhënave, dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e policisë e kanë vlerësuar maksimalisht ngjarjen dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që janë shoqëruar disa të dyshuar, të cilët janë përdorues të lëndëve narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›