Mbretëresha Geraldinë, mirënjohje për mjekët dhe mamitë në pension
/>Për nder të të gjithë atyre që u kanë qëndruar pranë nënave gjatë lindjes dhe fëmijëve në ditët e para të jetës, në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik, nga drejtoria e këtij spitali do të organizoj një aktivitet. Në këtë aktivitet, të gjithë mjekët dhe mamitë pensioniste, të cilat me punën e tyre gjatë shumë viteve kanë punuar në shërbim të nënës dhe fëmijës në Spitalin Universitar Obstetrikë Gjinekologjik (SUOGJ) Mbretëresha Geraldinë,
do të nderohen në një ceremoni të veçantë nga Drejtoria e këtij spitali, ditën e hënë në mjediset e Hotel "Tirana International". Zëdhënësja e SUOGJ Mbretëresha Geraldinë, Ervina Nuri tha të shtunën se, Drejtoria e spitalit, me rastin e Festave të fund vitit do të organizojë aktivitetin Mirënjohjeje, për të nderuar personelin mjekësor të dalë në pension ndër vite, që me punën e tyre kanë dhënë një ndihmesë të vyer në rritjen e vazhdueshme të cilësisë të shërbimit ndaj nënës dhe fëmijës. Nuri më tej bëri një vlerësim të punës së këtij personeli duke thënë se, puna e personelit të këtij spitali ka qenë mjaft e vyer dhe ka ndikuar shumë në cilësinë që ky spital ka në ditët e sotme. "Që në fillimet e punës së tij, Materniteti i Tiranës, (sot Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik Mbretëresha Geraldinë) ka pasur personel jo vetëm profesionalisht të aftë, por dhe human dhe të përkushtuar". Sipas saj, personelit, për nder të të cilit do të zhvillohet aktiviteti, do tu shpërndahen Certifikata Mirënjohjeje. Spitali Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Gerladinë" në Tiranë, i krijuar që në vitin 1936 dhe i njohur në atë kohë me emrin Nëna dhe fëmija, ofron shërbimet gjinekologji, obstetrikë, patologji, neonatologji (pediatri), si dhe laboratorë. Në të kryhen me mijëra analiza të ndryshme, qoftë të hospitalizuar, qoftë dhe ambulatore, nga më të thjeshtat deri tek ato hormonalë. Numri i shtretërve në këtë spital arrin në 150 për të rriturit, 62 për fëmijë, prej të cilëve 12 inkubatorë dhe 40 të zakonshëm. Çdo vit spitali përballon një volum të madh pune. Sipas statistikave, në vitin 2005 numri i lindjeve ishte 5800, në vitin 2006 zbriti në 5800, në vitin 2007 u rrit në 5600, ndërkohë që në 6 mujorin e parë të vitit 2008, numri i lindjeve ishte 2600. Në fillim të qershorit të këtij viti, spitali Mbretëresha Geraldinë është pajisur me Qendrën e Pranimit të Urgjencave, e cila konsiderohet nga drejtuesit e këtij materniteti si pika më e rëndësishme e takimit të pacientëve me stafin mjekësor për përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e ndihmës së parë. Përurimi i kësaj qendre përkoi me 1 vjetorin e vizitës së znj. Laura Bush në maternitetin Mbretëresha Geraldinë në 10 qershor 2007.