Qeveria e Maqedonisë formohet këtë javë
Qeveria e re e Maqedonisë pritet të shpallet gjatë kësaj jave, pasi që gati është finalizuar marrëveshja e koalicionit midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
Lajmi konfirmohet nga selia e BDI-së, por edhe nga partia VMRO-DPMNE, e mandatarit Nikola Gruevski.
Jo-zyrtarisht bëhet e ditur se është arritur edhe marrëveshja për ndarjen e disa drejtorive të rëndësishme, por që nuk jepen detaje mbi marrëveshjen.
BDI është e vendosur që të drejtojë njërën nga dy drejtoritë relevante të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Drejtorinë e Sigurimit Publik dhe Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, si dhe njërën nga dy drejtoritë e rëndësishme të Ministrisë së Financave: Drejtorinë e të Ardhurave Publike apo Drejtorinë e Doganave.
BDI synon që marrëveshja e koalicionit ta përfshijë në programin qeveritar edhe programin e tyre zgjedhor dhe kërkesa tjera që kërkojnë zgjidhje brenda një afati të shkurtër të bashkëqeverisjes.
Partia që drejtohet nga Ali Ahmetiu deri tani nuk kanë zbardhur asnjë emër se kush do të drejtojë ministritë dhe të disa kuadrove që do të jenë në pozitat e zëvendësministrave, sekretarëve shtetëror dhe drejtorive.
BDI ka siguruar postet e zëvendëskryeministrave për Marrëveshjen e Ohrit dhe Eurointegrimet, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, Ekonomisë, Ekologjisë, Pushtetit Lokal, ndërsa ajo ka siguruar 4 poste të zëvendësministrave, 5 të sekretarëve shtetëror si dhe rreth 30 drejtori nga 75 drejtori dhe ndërmarrje publike.