E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti shpreh shqetësim për kompensimin e ish-të përndjekurve



Presidenti Bamir Topi u takua dje me një përfaqësi të përbërë nga të shpronësuar dhe të përndjekur politikë nga Shkodra. Përfaqësuesit e të përndjekurve nga Shkodra, të cilët rrjedhin nga familjet e shquara e me tradita të vyera patriotike si familja Serreqi, Bushati, Guraziu, Dani, Gurakuqi, Vocaj etj., pasi e falënderuan kreun e shtetit për pritjen dhe kohën e rezervuar për ta, i parashtruan shqetësimet dhe problemet e tyre lidhur me vështirësitë dhe me pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore si për sa i përket dëmshpërblimit të të përndjekurve dhe viktimave të komunizmit, ashtu çështjes delikate të kthimit të pronave. Kryetari i shtetit shqiptar theksoi se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje të madhe dhe në vazhdimësi shqetësimet e tyre në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe me dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, sepse është një detyrim jo vetëm i Institucionit të Presidentit të Republikës, por edhe një detyrim moral e personal. Presidenti Topi, pasi ndau me ta shqetësimet e tyre, u sugjeroi përfaqësuesve të të përndjekurve politikë dhe të shpronësuarve që të përdorin rrugët dhe mënyrat institucionale e demokratike për zgjidhjen e problemeve, duke i siguruar gjithashtu që ata do të gëzojnë gjithmonë mbështetjen e tij të pakursyer si personale, ashtu edhe institucionale në cilësinë e Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›