Mbreti Zog i dha Shqipërisë një shtet që funksiononte

Fjala e mbajtur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë ceremonisë së përcjelljes së Leka Zogut I
Vijmë këtu sot, për t’u ndarë përgjithmonë me një princ shqiptar, Leka Zogu.
Një Princ që lindi 2 ditë përpara se sa avionët e një fuqie të madhe fashiste, të nxinin qiellin e shqiptarëve dhe të ndërprisnin brutalisht një dinasti mbretërore arbërore, që kish emblemë, shpatë dhe shqyt, kryeprincin e shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Leka Zogu mbarti kësisoj në jetën e tij një amanet të madh kombëtar, të mbronte dhe të ishte i denjë për emblemën e Kastriotëve dhe të nderonte e të luftonte për kujtimin dhe veprën e Atit të tij, Ahmet Zogut, Mbret I Shqiptarëve.
Mbreti Zog është tashmë një figurë historike e gdhendur thellë në aktet e dhe politikën shtet formuese të Shqipërisë. Asokohe Shqipëria ishte dhe shumëkush nga jo miqtë e Shqipërisë, do të donte të ishte një Vend i përçarë dhe pa Zot. Një Vend pa ligje dhe pa shtet. Një tokë e përçarjes, vëllavrasjes dhe anarkisë permanente.
Aktet shtet formuese të Mbretit Zog ngritën nga themeli një shtet që funksiononte, ndonëse në hapat e tija të para. Vendimet e mosnënshtrimit dhe refuzimi i Dinastisë së re arbërore, për të mos mbijetuar nëpërmjet shndërrimit në kuislingë, e shkëput me dinjitet këtë familje patriote, nga shume dinasti të tjera të rajonit tonë, të cilat dilemën e shtruar nga Lufta e Dytë Botërore, e zgjidhën në krahun e më të fortit të kohës. Kurorën e Shqipërisë familja mbretërore shqiptare, nuk ja dha askujt.
Familja Mbretërore, nuk pranoi dhe nuk u bë kurrë vasale e ndonjë Perandorie tjetër, ashtu sikundër shume familje mbretërore bashkëkohëse u bënë.
As Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu, nuk negociuan kurrë, mbas Prillit të vitit 1939 Kurorën Mbretërore, duke e konsideruar atë një kurorë të shqiptarëve, të Kombit Shqiptar.
Kjo është një barrë e madhe dhe historike, të cilën Leka Zogu, me trupin e të cilit ne ndahemi sot, e kreu me nder.
Përgjatë një jete të tërë emigracioni të detyruar nga Diktatura Komuniste, Atë e Bir, ngado në botë, mbartnin me vete një copë të Shqipërisë, një flamur, një ide kombëtare dhe një emblemë të legjendës së Kastriotëve.
Përkushtimi i Leka Zogut, për demokracinë në Shqipëri, për rezistencën kundër diktaturës shfytyruese që shqiptarët përjetonin, nuk ndahej asnjë çast, nga vëmendja e jashtëzakonshme për fatin e Kosovës. Kosova e shtypur dhe e masakruar, Kosova e martrizuar që përjetonte dhunë dhe shfarosje, ishte një fushëbetejë që Princi Leka, e ka zhvilluar me pathos atdhetar të veçantë.
Qëndrimet e tij, sipas rangut të Familjes Mbretërore, ishin të pranishme në shumë kanceleri, në shumë familje mbretërore të mbarë botës, duke u shndërruar në një zë të ndritshëm në vijën e parë të një beteje për Interesa të larta Kombëtare.
Prandaj jemi mbledhur sot këtu. Jo për të vajtuar, ndonëse zemrat i kemi plot pezm, jo të ligështuar ndonëse ndarja e tij e parakohshme na ka helmuar thellë.
Por, për të nderuar plot mirënjohje historike dhe krenari kombëtare veprën e Leka Zogut, bir i Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve.
U prehtë i qetë në tokën arbërore. I paharruar qoftë kujtimi i tij.