“Në shërbim të kombit dhe atdheut”

Princi Leka Zogu II betohet se do ndjekë rrugën e gjyshit dhe të të atit
“Unë Princ Leka II, betohem përpara trupit të babait tim se do të ndjek rrugën e Mbretit Zog dhe të Mbretit Leka I, në shërbim të kombit dhe të atdheut. Betohem!”.
Ky ishte betimi i pasardhësit të Leka Zogut në momentin e përcjelljes për në banesën e fundit të trashëgimtarit të fronit mbretëror. Me pjesëmarrjen e krerëve më të lartë të shteti shqiptar, presidentes së Kosovës dhe më 3 breshëri armësh, Leka Zogut të Parë iu dha lamtumira e fundit. Kushëriri i parë i të ndjerit, Skënder Zogu falenderoi pjesëmarrësit për nderimin e bërë.
“Mbreti Leka ndërroi jetë ushtar i atdheut. Ky ushtar dha jetën për kombin, për Kosovën, për Çamërinë, për Preshevën për shqiptarët e Malit të Zi, Maqedoni dhe shqiptarët në botë. Në këtë luftë të jetës së tij, si parim Mbreti Zog ka patur, ‘Atdheu mbi të gjitha’”, tha kushëriri i parë i mbretit Leka I, Skënder Zogu.
Ndërsa Kori i Kishës së ardhur nga Kosova shoqëroi ceremoninë mortore me muzikë funerable. Familjarët, të afërmit dhe qindra njerëz nga treva të ndryshme, morën pjesë në këtë varrim. Trashëgimtari i familjes mbretërore u preh në varrezat e Sharrës pranë Mamasë së Tij, Geraldinë dhe Bashkëshortes, Suzan.