Universitetet, MASH: Regjistrohuni që të mos humbisni shkollën
Dy ditë para mbylljes së procesit të regjistrimit të fituesve në universitete, Ministria e Arsimit u bën apel maturantëve të respektojnë afatet, pasi në të kundërt do t’u digjet përfundimisht e drejta për të vijuar shkollën e lartë këtë vit. Sipas afatit të përcaktuar nga MASH, maturantët do të kenë mundësi ta kryejnë regjistrimin paraprak deri në orën 18.00 të ditës së dielë. Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktura, për çfarëdolloj arsye humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve, që do të hartohet në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, dhe do të shpallet në datën 23 shtator 2011. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj shprehet se të gjithë kandidatët duhet të regjistrohen pavarësisht preferencave të tyre. Ajo u bën apel maturantëve që të zbatojnë rregulloren, pasi në të kundërt, ata do të eleminohen krejtësisht nga sistemi, duke humbur kështu të drejtën e studimit, për vitin e ri akademik që pritet të nisë në tetor. “Të bëjnë regjistrimin, në mënyrë që të jenë pjesë e vazhdimit të garës së sistemit. Që do të thotë të gjithë ata që regjistrohen në universitetet publike, në ato si të Tiranës dhe të rretheve, të jenë pjesë e vazhdimit për vendet që do të mbeten më pas bosh. Asnjë student që nuk regjistrohet për arsye se nuk i pëlqen dega, nuk mund të vazhdojë garën, për të vazhduar pjesën e dytë të regjistrimit, që do të thotë pjesën e preferencës së tyre”, - thotë Nora Malaj. Pas përfundimit të regjistrimit paraprak pritet të shpallen kuotat bosh nëpër universitetet publike në të gjithë vendin. Këto vende do të vihen në dispozicion të të gjithë atyre të rinjve që janë në listën e pritjes, në bazë të pikëve që kanë marrë. Maturantët që do të rezultojnë fitues nga spostimet e listave, si dhe ata që kanë qenë të tillë që në listën paraprake, por mund të jenë ngjitur në preferenca më të larta, do të jenë edhe fituesit përfundimtarë të universiteteve, përsa i takon raundit të parë të pranimeve. Kurse në raundin e dytë të pranimeve kandidatët do të konkurrojnë për të fituar universitetin vetëm për vendet e mbetura bosh që do të shpallen nga Ministria e Arsimit pas fazës së regjistrimit përfundimtar. Aplikimi për vendet bosh do të bëhet nëpërmjet Formularit A3, që këtë vit do të kenë të drejtë ta plotësojnë jo vetëm maturantët që nuk janë shpallur fitues gjatë raundit të parë, por edhe mbetësit që marrin provimet në vjeshtë, sikurse edhe maturantët që e kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit. Të gjithë ata të rinj që kanë dëshirë të aplikojnë për kuotat e paplotësuara, duhet të dinë se në Formularin A3 do të renditen të gjitha degët e universiteteve që do të kenë ende vende të lira dhe përkrah secilës prej tyre do të shënohen dhe kuotat përkatëse. Edhe në këtë formular, maturantët do të kenë mundësi të përzgjedhin 10 preferenca të ndryshme studimi.
“Të bëjnë regjistrimin, në mënyrë që të jenë pjesë e vazhdimit të garës së sistemit. Që do të thotë të gjithë ata që regjistrohen në universitetet publike, në ato si të Tiranës dhe të rretheve, të jenë pjesë e vazhdimit për vendet që do të mbeten më pas bosh. Asnjë student që nuk regjistrohet për arsye se nuk i pëlqen dega, nuk mund të vazhdojë garën, për të vazhduar pjesën e dytë të regjistrimit, që do të thotë pjesën e preferencës së tyre”
Regjistrimi përfundimtar, kush ngjitet në preferencë të çregjistrohet
Kandidatët që në listat përfundimtare janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit paraprak,
duhet të regjistrohen në degën ku janë fitues me listat përfundimtare
Regjistrimi i studentëve të rinj që do të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve nuk mbyllet me regjistrimin paraprak, me përjashtim të atyre që edhe në listat përfundimtare të fituesve u ka dalë e drejta e studimit në të njëjtën degë. Kështu, kandidatët, të cilët në listat përfundimtare të fituesve janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Ndaj këta kandidatë duhet të tërheqin dosjen individuale me dokumentet përkatëse nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe të regjistrohen në programin e studimit, në të cilën janë shpallur fitues me listat përfundimtare. Sipas afateve të vendosura nga MASH, sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26-30 shtator, prej orës 8.00 deri në orën 18.00, do të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve të përcaktuar më sipër si dhe do të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve të shpallura nga MASH-it. Ndërsa, kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk është e nevojshme të regjistrohen. Ndërkaq edhe për këtë fazë, veprimet e çregjistrimit paraprak dhe ato të regjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj do të dokumentohen në një regjistër të veçantë. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit përfundimtar në sekretaritë mësimore të fakulteteve, kandidatët fitues që janë ngjitur një preferencë më lartë kundrejt regjistrimit të ndërmjetëm, nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, në regjisitrin e veçantë. Me mbylljen e regjistrimit përfundimtar, universitetet do të dorëzojnë deri në datën 30 shtator 2011, në MASH listat përfundimtare origjinale me regjistrimet e kryera për çdo program studimi. Pas kësaj date, universitetet do të raportojnë në MASH edhe vendet e mbetura bosh nga faza e regjistrimit përfundimtar. Me marrjen e këtyre të dhënave, MASH do të bëjë publikimin e vendeve të paplotësuara në universitete, për të cilat maturantët jofitues do të aplikojnë nëpërmjet Formularit A3.
Afatet e shpalljes së fituesve
18 shtator përfundon regjistrimi paraprak
20 shtator dorëzohen në MASH listat e regjistrimeve
23 shtator del lista e fituesve përfundimtarë
24 shtator listat do t’u dorëzohen universiteteve
25 shtator universitetet duhet t’i afishojnë listat
26 shtator-30 shtator çregjistrimet e fituesve
30 shtator dorëzohen listat e regjistrimit përfundimtar
Pse regjistrimet bëhen në dy faza
Regjistrimet në universitete bëhen në dy faze, pasi shumë maturantë të regjistruar në universitetet publike, të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Kandidatë të tjerë të regjistruar po në universitetet publike të vendit vendosin të ndjekin studime në universitete private. Kandidatë të tjerë nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) që plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar. Vitin e kaluar, lista e kandidatëve fitues të regjistrimit përfundimtar tregoi se të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, mbeten po aty fitues. Pra, sipas parimit Meritë-Preferencë, asnjë kandidat nuk zbret në preferencë. Po ashtu, shumica e fituesve në preferenca të tjera, mbetën fitues në po ato preferenca ku ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak, ndërsa një pjesë e fituesve, në sajë të vendeve bosh nga mosregjistrimi në fazën e parë, u ngjitën në preferencë. Për shembull, nëse në regjistrimin paraprak ishin shpallur fitues në degën e shtatë, u ngjitën në preferencën e gjashtë apo të pestë. Madje, një vit më parë pati nga ata kandidatë që nuk ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak dhe u shpallën fitues në regjistrimin përfundimtar, falë vendeve bosh të lëna nga regjistrimi paraprak.
Dokumentet e regjistrimit paraprak
Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave.
Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, Dëftesë Pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore).
Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.
Dy fotografi.
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekë paguar për llogari të universitetit, në një nga bankat e nivelit të dytë.