E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishet parkingu te Tajvani, përplasje mes pronarëve dhe policisë

Kreu i Policisë Bashkiake kërcënohet nga menaxherët e kompleksit “Tajvan”.

Hoxha: Do të bëjë kallëzim penal ndaj këtyre kërcënimeve

Prishja e parkingut në lulishten e parkut “Rinia” pranë kompleksit “Tajvani” është shoqëruar me përplasje mes pronarëve dhe Policisë Bashkiake. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Policia Bashkiake e Tiranës ka ndërhyrë në parkun “Rinia” për të liruar ambientet e zëna sipas tyre, në mënyrë të paligjshme për parking nga lokalet.

Por, aksioni i policisë ka hasur fillimisht edhe në konfrontimet verbale të pronarëve të parkingut me policët bashkiakë. Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha ka debatuar me menaxherët e kompleksit “Tajvan” që gjendet në zonën e parkut. Sipas procedurës, Policia Bashkiake, u kërkoi pronarëve të operatorit “Tajvan”, dokumentet e pronësisë. Por, sipas Policisë Bashkiake, pronarët nuk paraqitën asnjë dokumentacion ligjor. Po ashtu, drejtues të Policisë Bashkiake deklaruan se do të verifikohet nëse kompleksi është brenda kushteve të parashikara në projekt apo ka ndërtime jashtë tij. Por, gjatë aksionit për prishjen e parkingut, Policia Bashkiake ka ndeshur në rezistencën e menaxherëve të “Tajvanit”, të cilët e kanë kërcënuar drejtorin e Policisë Bashkiake. Pas një përplasje gati fizike, Hoxha u shpreh se do të bëjë kallëzim penal ndaj këtyre kërcënimeve. Ndërkohë që më vonë Bashkia e Tiranës deklaroi se presionet dhe kërcënimet nuk do ta ndalojnë aspak, që të zbatojë ligjin dhe të mbrojë interesat e qytetarëve. Kreu i Policisë Bashkiake ka bërë të ditur se hapësirat publike në Tiranë do t’i kthehen komunitetit dhe se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. “Në mënyrë abuzive, nga vetë Bashkia e Tiranës ishte dhënë për parking nga hapësirë e gjelbër. Ne po ushtrojmë një kontroll dhe mbi sipërfaqen e ndërtimit këtu dhe kemi plotësuar një sërë shkeljesh”, - tha Hoxha. Sipas Policisë Bashkiake, sot aksioni do të vazhdojë në hapësirën mbrapa Pallatit të Kulturës, për ta kthyer edhe atë një hapësirë të gjelbër, në shërbim të komunitetit. “Sot, po i kthejmë qytetarëve të Tiranës një hapësirë të zënë në mënyrë të paligjshme. Bashkia e Tiranës do t’i kthejë qytetarëve, çdo hapësirë që atyre u takon, duke nisur nga parkingu tek Pallati i Kulturës, ku vetë bashkia ka zënë hapësirën qytetare e kudo në Tiranë, ku në kundërshtim me ligjin ka ndodhur ky fenomen”, - u shpreh drejtori i Policisë Bashkiake. Pas lirimit të ambientit publik në lulishten e parkut “Rinia”, Policia Bashkiake e Tiranës sqaron se hapësira e betonizuar dhe e përdorur për parking, do të kthehet nga Bashkia e Tiranës në lulishte dhe do të jetë tashmë në funksion të qytetarëve të kryeqytetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›