E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbreti në Freestyle

Në Cape Town të Afrikës së Jugut, emocionet arritën majat, ndërsa futbollistët më të mirë freestyle nga mbarë bota performuan përpara mijëra adhuruesve. Gjatë tre ditëve të kampionatit konkurrentët u ndeshën kokë-më-kokë sipas rregullave të thjeshta të garës: 3 minuta, 2 lojtar, 1 top.

60 futbollistë të stilit të lirë nga e gjithë bota u ndeshën në Cape Town më 28 prill në finalen botërore të Red Bull Street Style 2010. 27 vjeçari nga Norvegjia, Anders Solum, mbizotëroi me triket e tij përpara një publiku shumë entuziast në sheshin e famshëm të Cape Town, Grand Parade.

Heroi vendas nga Afrika e Jugut, 21 vjeçari Kamal Ranchod, arriti të shkonte deri në raundin final, por pa mundur të rrëmbejë titullin kampion. Yjet e futbollit George Weah dhe Edgar Davids i dorëzuan trofeun fituesit përpara gazetarëve nga 30 shtete të ndryshme të botës.

“Unë nuk njoh asnjë futbollist profesionist që mund të bëjë trike të tilla”, deklaroi anëtari i jurisë dhe tri herë futbollisti afrikan i vitit, George Weah. “Sot ne dhamë vlerësimin tonë për atë që quhet tamam kontroll i topit. Ishte vërtet e vështirë të vendosje se cilët shtete do të eliminoheshin.”

Ylli holandez i futbollit Edgar Davids, i cili ka qenë në panelin e jurisë edhe në finalen botërore të Red Bull Street Style në Sao Paolo në 2008, mbeti gjithashtu pa fjalë.
“E pabesueshme. Është diçka midis kënaqësisë së vërtetë dhe zhgënjimit të madh. Këta djem janë fantastikë dhe mendoj se djali nga Norvegjia e meritonte plotësisht fitoren. Respektin maksimal”, tha ai.

Vendi i tretë i shkoi kolumbianit Christian Mayorga, ndërsa austriaku Faruk Onmaz u rendit i katërti. Shtetet me një traditë në futboll si Brazili, Gjermania, Anglia, Holanda dhe Spanja nuk arritën të hipnin në podium.

Për herë të parë në këtë kampionat u përfaqësua edhe Shqipëria me 21 vjeçarin nga Tirana, Fabian Duro.

Edhe pse nuk arriti të kualifikohej për në top 16, Fabiani pati një performancë të mirë përgjatë etapave kualifikuese, duke fituar kundrejt përfaqësuesve të shteteve si Ukraina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ishte një eksperiencë e paharrueshme për mua, gjithashtu një përgjegjësi shumë e madhe që përfaqësova vendim tim në këtë kampionat. Ishte shumë bukur të shihje gjithë ata futbollistë freestyle së bashku, shkëmbim eksperiencash” u shpreh Fabiani.
Mbi 5000 konkurrentë morën pjesë në 221 etapa kualifikuese të zhvilluara në shtete të ndryshme të botës për të arritur deri te finalja botërore e Red Bull Street Style 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›