Mbrojtje për dy 15-vjeçare, rriheshin nga babai dhe njerku
Dy vajza adoleshente, të cilat ishin shpallur në kërkim prej policisë, pasi ishin larguar nga banesa, janë marrë në mbrojtje, pasi ato kanë deklaruar se nuk ktheheshin më në familje. Motivi i frikës për t‘u kthyer në familje për to ka qenë dhuna e ushtruar ndaj tyre. Sipas vajzave, respektivisht babai dhe njerku i rrihnin ato. Deklaratat e vajzave kanë shokuar punonjësit e policisë, që menjëherë kanë marrë psikologë për t‘i vënë në dispozicion të vajzave. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja e zbuluar ka ndodhur në Tiranë, ku dy vajzat e mitura janë shoqe. Sipas të dhënave hetimore, me datë 9 të këtij muaji, në Komisariatin e Kamzës janë paraqitur prindërit e vajzave, të cilët kanë kërkuar ndihmën e uniformave blu për gjetjen e vajzave. Policia tha se Sami J., 41 vjeç, ka deklaruar se vajza e tij, Florida J., ishte larguar nga banesa, kishte fikur telefonin dhe nuk ishte kthyer më. Meqë ajo ishte 15 vjeçe, kishte frikë se do të binte pre e ndonjë trafiku të mundshëm, kështu që kërkonte ndihmën e policisë për gjetjen e saj. Nga ana tjetër, edhe Muharrem Xh., 52 vjeç, është paraqitur në polici dhe ka rrëfyer të njëjtën ngjarje. Ai ka shpjeguar për uniformat blu se ai ishte njerku i vajzës Arlinda A., 15 vjeçe, e cila ishte larguar nga banesa dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Në këto kushte, duke parë se dy vajzat njiheshin mes tyre, policia ka nisur kërkimet. Fillimisht ka kërkuar te të afërmit e tyre dhe më pas te shoqëria, ku ato mund të ishin. Pas disa orë kërkimesh, policia ka mundur t‘i gjejë dhe t‘i shoqërojë në komisariat. Kur u kanë deklaruar se do njoftonin familjet e tyre, ato kanë shprehur se nuk kishin dëshirë të ktheheshin në familje, pasi i keqtrajtonin. Të dyja kanë treguar respektivisht se rriheshin nga babai dhe njerku. Në këto kushte, policia ka marrë psikologët, që janë kujdesur për vajzat dhe u kanë plotësuar atyre urdhrat e mbrojtjes.
Ble. Gi.
Ble. Gi.