Vret babanë, familja mundohet ta mbrojë
I sëmuri mendor vret të atin 500 metra larg oborrit të shtëpisë. E ka goditur në kokë me mjete rrethanore, e ka tërhequr zvarrë me litar në fyt për disa metra. Ngjarja e kobshme ka ndodhur rreth orës 15.00 të së mërkurës, por vdekja e 75-vjeçarit Seit Hasa është deklaruar në polici rreth orës 21.30 minuta të mbrëmjes. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë së Gramshit, rreth orës 19.40 të së mërkurës, në fshatin Lenie, komuna me të njëjtin emër, rreth 30 km larg qytetit të Gramshit, është gjetur i vdekur nga të afërmit Seit Hasa, 75 vjeç. I moshuari është gjetur nga familjarët në një parcelë toke, rreth 500 metra larg banesës e tij. Menjëherë pas kësaj është lajmëruar policia lokale, e cila ka dërguar menjëherë grupin hetimor, që konstatoi se kufoma kishte shenja dhune në pjesën e fytit dhe dyshohet të jetë mbytur me litar. Megjithëse familjarët fillimisht deklaruan se ishte një vdekje natyrale, policia arriti në konkluzionin se bëhej fjalë për vrasje. Nga puna e bërë prej Seksionit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, rezulton se autori i vrasjes është djali i tij, Maksim Hasa, 20 vjeç, lindur e banues në fshatin Lenie, Gramsh, i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan, ku po punohet për të përcaktuar shkaqet e rrethanat e vrasjes. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, ende nuk dihet se përse familjarët e të ndjerit kanë pohuar në momentin e konstatimit të kufomës se vdekja ishte natyrale. Specialistët e policisë, të cilët kanë ndjekur këtë ngjarje, që në momentin e konstatimit të vdekjes kanë dyshuar për një krim, por prisnin prova të tjera për ta argumentuar zyrtarisht atë, ndërkohë që rreth orës 22.00 të së mërkurës kanë ndaluar djalin e viktimës, 20-vjeçarin Maksim Hasa. Kufoma e 75-vjeçarit ka pasur shenja të dukshme dhune në fyt, të cilat hidhnin dyshime se ishin pasoja e shtrëngimit nga një litar. Sipas informacioneve të sigurta, mësohet se autori i krimit të rëndë brenda familjes vuan nga çrregullime psikike. Ndërkohë që është zbardhur edhe skena e krimit. Pasi ka goditur të atin pas koke me mjete rrethanore, djali i ka vënë litarin në grykë, e ka tërhequr për dhjetëra metra dhe e ka lënë në mes të parcelës hamullore deri sa ka gjetur vdekjen. Mbi bazën e fakteve, policia ka ndaluar të birin nën akuzën e vrasjes, pavarësisht se familjarët e tij kanë deponuar se ai është person i papërgjegjshëm. Ndërkohë, drejtoresha e spitalit psikiatrik të Elbasanit, Suzana Gjevori, ka pohuar se 20-vjeçari Maksim Hasa nuk rezulton të jetë i shtruar apo i diagnostikuar me medikamente për të sëmurë mendorë në këtë spital. Hetimet vazhdojnë rreth ngjarjes, por mbetet e vështirë për të vërtetuar se djali vrasës mund të konsiderohet "de-jure" i sëmurë mendor, edhe pse nuk rezulton të ketë një kartelë mjekoligjore, që vërteton se ai është i sëmurë mendor.